20 Nëntor, 2019 - 4:03 pm
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka dhënë një sqarim lidhur me lokacionin e ndërtimit të stadiumit kombëtar.
Në komunikatën e kësaj ministrie shkruan se fillimisht ndërtimi i stadiumit ishte vendosur të bëhet në Bërrnicë por për shkaqe pronësore është zhvendosur në Korroticë të Drenasit.
“MKRS-ja fillimisht ka planifikuar që Stadiumin Kombëtar të Kosovës ta ndërtojë në Prishtinë. Kemi analizuar hapësirën në fshatin Bërrnicë, e cila ka rezultuar me konteste pronësore, ka pasur hapësira që është dashur të shpronësohen dhe kjo e ka rritur koston e tërësishme të projektit, për më keq, ish-qeveria Mustafa nuk kishte zhvilluar asnjë procedurë për ndërtimin e stadiumit në Bërrnicë. Ndërkaq, lokacioni i tanishëm, për të cilin është marrë vendim që të ndërtohet stadiumi, ka qenë më i favorshmi për arsye të shumta. Dallimi në kilometra nga Prishtina në Korreticë ose Bërrnicë është vetëm 5 km. Gatishmëria dhe bashkëpunimi i Komunës së Drenasit për ta ofruar një hapësirë të këtillë, ku tashmë prona ka kaluar të gjitha procedurat e duhura, duke qenë e dedikuar për stadium. Hapësira e tanishme, konkretisht ngastrat e kadastrave të ndara për stadiumin kombëtar, kanë qenë pronë e cila nuk ka pasur nevojë për shpronësim dhe kështu e ka ulur ndjeshëm koston e projektit “- njofton Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit përcjellë KultPlus.com
Sipas Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit arsye tjetër e vendosjes për lokacionin në Drenas është afërsia me Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe qasja në autostradën “Ibrahim Rugova”.
“Fakte tjera të cilat kanë qenë të arsyeshme dhe bindëse që të përcaktohemi për atë lokacionin janë edhe afërsia me Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe qasja në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Në vendimmarrje jemi bazuar edhe tek qëndrimi i trajtimit të barabartë për të gjitha skajet e territorit të Kosovës që stadiumi të ndërtohet në qendër të Republikës së Kosovës “.