19 Gusht, 2025 - 6:25 pm
Në Ministrinë e Kulturës sot u mbajt një konferencë për media nga sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, lidhur me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për rrënimin e ish-kompleksit “Sarajet e Vjetra”, i cili kishte mbrojtje të përhershme ligjore si aset i trashëgimisë kulturore.
Bislimi tha se ministria mirëpret veprimin e prokurorisë dhe e vlerëson si hap drejt parandalimit të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në vend. Ai theksoi se dëmi material për restaurimin e kompleksit do të kapte shifrën e 15 milionë eurove, por humbja e vlerave autentike është e pakthyeshme dhe e pamatshme, përcjellë KultPlus.
Sekretari nënvizoi se MKRS po zbaton një program masiv të konservimit dhe restaurimit, por edhe ka shtuar masat inspektuese dhe bashkëpunimin me Policinë, Prokurorinë dhe Gjyqësorin për t’i çuar para drejtësisë të gjithë shkelësit e ligjit.
“Nga masat ligjore nuk përjashtohet askush, qoftë zyrtarë lokalë apo qendrorë. Çdo ndërhyrje pa leje në asetet e trashëgimisë do të procedohet penalisht,” tha Bislimi.
Ai shtoi se MKRS ka proceduar raste të ngjashme edhe në komunat tjera dhe i bëri thirrje prokurorive të veprojnë me urgjencë./KultPlus.com