“Mu vërsulën të gjithë përnjëherë me kërbaçë, njëri me shqelma koçeve….”, rrëfimi i Faik Ferizit kur kundërshtoi suprimimin e Autonomisë së Kosovës

23 Gusht, 2022 - 4:45 pm

Hiqi brekët!” – dhe ashtu veprova. Pastaj më tha: ‘Mblidhi gjërat e shko atje’. Ende pa i mbledhur rrobat mu vërsulën 7 veta me breshëri të kërbaçëve. Duke ikur para tyre dhe pa e ditur se ku po shkoja, u futa në një zyrë ku kishin qenë edhe dy policë me kërbaq. Më thanë: ‘Pse po çirresh he nanën shqiptare … asgjë nuk t’kanë ba’ – dhe m’ranë shqelma n’koçe tu m’thanë – ‘Kush të tha me hy këtu?’

Vazhduan me kërbaçë duke më ndjekur nëpër atë korridor deri në fund, ku ishte wc-ja dhe aty luanin koçe tu m’thanë: ‘Kush t’ka thanë me ardhë këtu, kthehu n’dhomën tjetër’. Kur shkova te dhoma e dytë, njëri bërtiti: ‘Ndalu, zbathi këpucët’. Kur u përkula t’i zbathja këpucët, mu vërsulën të gjithë përnjëherë me kërbaçë, njëri me shqelma koçeve….

Kjo është një pjesë e dëshmisë së Faik Ferizit (1952) nga fshati Zhabar i Poshtëm i Mitrovicës, dhënë për KMDLNJ-në, se si e kishin rrahur dhe torturuar policët serbë dhe inspektorët shqiptarë të Sigurimit, nga 28 marsi 1989 kur e kishin arrestuar deri më 15 maj 1989 kur ishte liruar.

E kishin marrë me peshë trupore 70 kg dhe e kishin liruar me 30 kg. Arsyeja: kishte dorëzuar librezën e anëtarësisë së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, duke kundërshtuar suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe duke kërkuar Republikë për Kosovën.

23 gushti është dita europiane e përkujtimit të viktimave të të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare. Le të kujtojmë viktimat shqiptare ndër ne, të regjimit totalitar komunist të Jugosllavisë së Titos që u trashëgua nga Millosheviqi. Trashëgimtari i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq drejton si president sot Serbinë.

Nga Durim Abdullahu / KultPlus.com

Të ngjajshme