Mundësitë për “hiking” në Kosovë

7 Shtator, 2020 - 6:20 pm

Ecja apo siç mirëfilli tashmë njihet si “Hiking”, megjithëse thuhet që ka filluar në vitet e ’30 në Kosovë, me ngjitjen e disa të apasionuarve mbas ecjes nëpër maja malore, ajo u bë e famshme vetëm pas luftës, realisht pas viteve 2000.

Shoqëritë e para të ecjes, që u krijuan pas luftës në Kosovë, organizonin ecjen në natyrë, duke ekspozuar gjithmonë e më tepër mrekullitë e saj në vendin tonë dhe duke i promovuar ato sidomos përmes medieve sociale, të cilat gjithnjë e më shumë vinin në jetë. 

Nga studimet e bëra mbi ecjen, ajo ndihmon në zvogëlimin e nivelit të stresit, përmirëson humorin dhe si rrjedhojë edhe mirëqenien mendore, redukton rrezikun nga sëmundjet e ndryshme, ndihmon në zbritjen e kolesterolit e shumë e shumë përfitime të tjera. 

Përveç të mirave që i sjellë organizmit, ecja përbën një aset të çmuar të turizmit. Studimet e reja tregojnë që ecja është aktiviteti numër një më i pëlqyer nga turistët aktiv, duke i kaluar format e tjera të aventurave që sjellin udhëtimet. 

Kosova, si një vend që njihet për relievin e përbërë nga vargmale, male, fushëgropa e lugina, përbën një gjeografi tejet interesante për vizitorët e si rrjedhojë interesimi për ecjen nëpër majat e vendit, mund t’i sjellë turizmit Kosovar përfitime të shumta. 

Si zona më me potencë për ecje e që vlen të përmenden janë shtigjet e shumta por edhe sfiduese, si Malet e Gjeravicës, Roshkodoli, Milisheci, Mariashi, Rugova, Malet e Deçanit, Gryka e Belegut, Malet e Sharrit, Malet e Hasit, Brezovica, Pashtriku. 

Siç dihet, Kosova ka një gjeografi me më shumë se gjysmën malore, andaj, investimi në turizmin e ecjes është më se i mundur dhe profitabil për gjithë vendin. 

Të ngjajshme