Munella, destinacion i të pasionuarve pas turizmit malor

24 Gusht, 2022 - 2:24 pm

Parku natyror i Munellës në Pukë është kthyer në një atraksion dhe vlerë e shtuar në guidat turistike për potencialet e veçanta që mbart.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky park natyror, që sidomos gjatë verës tërheq një numër të lartë turistësh.

“Munella, me natyrën çlodhëse dhe biodiversitetin karakteristik që tashmë ruhet si Park Natyror, ia shton vlerat edhe në guidat turistike, ku sidomos gjatë verës po tërheq përherë e më tepër të pasionuarit pas malit”, tha Kumbaro.

Mali i Munellës, ndodhet në kufirin midis Pukës dhe Mirditës dhe arrin një lartësi prej 1996 metra. Ky mal ofron një natyrë çlodhëse me biodiversitet të larmishëm të faunës dhe florës që ka. Në këtë mal rritet një florë e larmishme me llojshmëri bimësh dhe ku nuk mungojnë lloje të ndryshme kafshësh nga lepuri, rrëqebulli, kaprolli, derri i egër e ariu, të cilat e bëjnë Munellën një vend me mjaft interes për t’u eksploruar.

Munella ofron mundësinë edhe të zhvillimit të biznesit blegtoral dhe agroturistik.

Me vendim të Këshillit të Ministrave në 26 janar të këtij viti, Parku Natyror i Munellës u shpall zonë e mbrojtur. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme