MusArb, Muzeu i Kulturës arbëreshe si pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e kulturës arbëreshe

6 Maj, 2025 - 6:55 pm

Shkruan Shqipe Bytyqi

Në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës arbëreshe në Sicili, ndodhet Muzeu i Kulturës Arbëreshe, i njohur si MusArb. Ky muze shërben si një pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të komunitetit arbëresh.

SHTËPIA E HERSHME ARBËRESHE

( fotot nga një hapsirë banimi arberesh, ekspozuar në muzeun MusArb)

Një shtëpi e hershme arbëreshe nga brenda ishte e thjeshtë, funksionale dhe e ndërtuar për të përballuar jetesën e një familjeje fshatare në kushte të ashpra ekonomike e natyrore, por gjithnjë me një ndjenjë të fortë mikpritjeje.

– Zemra e shtëpisë ishte oxhaku (vatra), zakonisht i ndërtuar prej guri në një qoshe ose në murin qendror të shtëpisë.

Rreth oxhakut vendosej ulësja prej druri ku mblidhej familja për të ngrënë, për të biseduar, e për të kaluar mbrëmjet. Mbi oxhakun ndodhej shpesh një rafte ku vendoseshin vegla të gatimit, kanaçe uji, ose objekte simbolike si ikona fetare apo relike familjare.

– Mobilimi ishte modest: tryezë druri, karrige të punuara me dorë, arkë për ruajtjen e rrobave ose sendeve me vlerë.

Përdoreshin rafte muri për enët prej balte ose qelqi, shpesh të zbukuruara.

Muret zakonisht ishin të suvatuara me gëlqere dhe të bardha, për të ruajtur freskinë dhe pastërtinë. Në mure ndodheshin ikona ose kryqe, që dëshmonin besimin bizantin të familjes.

-Dhomat e gjumit:

Kishte zakonisht një ose dy dhoma gjumi, me krevat prej druri, shpesh me kashtë. Në këtė muze paraqitet vetëm një hapsirë banimi, ku të gjitha elementet janë të komprimuara. Përndryshe dhomat ishin të vogla, me dritare të vogla për të ruajtur nxehtësinë. Në disa raste, fëmijët flinin në dhomë më vete ose në të njëjtin ambient me prindërit, të ndarë me perde ose me mure të pjesshme.

-Ngjyrat dhe tekstilet:

Ngjyrat ishin natyrore: e bardha, kafeja e drurit, ngjyra e gurit, e kuqja e qilimave ose e rrobave popullore. Përdorej tekstil tradicional i qëndisur, i trashëguar brez pas brezi.

Kjo shtëpi, sado e thjeshtë, mbante gjallë shpirtin familjar, kulturën arbëreshe dhe ndjenjën e bashkësisë, duke ruajtur elementë të trashëguar nga Shqipëria e para shek. XV, por të përshtatur me mjedisin e Italisë së Jugut.

Dip.Ing. Shqipe Bytyqi

29.04.2025, Hora e Arbëreshëve./KultPlus.com

Të ngjajshme