Musk: Sondazhet e ardhshme vetëm për abonentët e “Twitter Blue”

20 Dhjetor, 2022 - 9:00 pm

Elon Musk njoftoi dje se vetëm abonentët e “Twitter Blue” do të mund të votojnë në sondazhet e ardhshme të lidhura me politikat në platformë, pasi miliona përdorues votuan që ai të largohej nga posti i shefit ekzekutiv të faqes.

Presidenti i “Tesla” tha se do t’i përmbahej rezultatit të sondazhit, të cilin ai krijoi, duke pyetur përdoruesit e “Twitter” nëse ai duhej të largohej apo jo.

Rezultati u konfirmua sot në mëngjes, me 57,5% të mbi 17.5 milionë llogarive që votuan  thanë se ai duhet të tërhiqet nga roli i tij.

Musk nuk postoi asnjë koment në Twitter pas publikimit të sondazhit.

Heshtja e tij më në fund u thye sot në mëngjes, kur ai iu përgjigj “Interesante” një sugjerimi të Kim Dotcom, themeluesja e faqes së internetit, se rezultatet e sondazhit ishin kryer nga llogari të rreme.

Duke iu përgjigjur sugjerimit të një përdoruesi tjetër se, abonentët e “Twitter Blue” duhet të jenë të vetmit që mund të votojnë në sondazhet e lidhura me politikat, Musk tha se Twitter do ta bënte këtë ndryshim.

“Twitter Blue” është një platformë me pagesë, që lejon këdo të blejë një llogari të verifikuar.

Sondazhi i Musk të dielën mbrëma erdhi pas disa javësh vendimesh të diskutueshme.

Disa grupe të sigurisë në internet kanë akuzuar miliarderin se ka lejuar urrejtjen, abuzimin dhe dezinformimin të qarkullojnë më lehtë në platformë për shkak të parimeve të tij të fjalës së lirë.

Gjatë mandatit të tij, Musk ka pushuar gjithashtu më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore globale të kompanisë.

Ndërsa mbetet e paqartë se kush do të zëvendësojë Musk nëse ai tërhiqet, disa komentues kanë theksuar se miliarderi do të kishte ende rolin e vendimmarrjeve kryesore si pronar i “Twitter”./ KultPlus.com

Të ngjajshme