Muzetë të rëndësishëm si spiranca në kohë stuhish, Leci: Fuqia kryesore e muzeut është ndërgjegjësimi i shoqërisë

18 Maj, 2022 - 2:15 pm

Uranik Emini

Muzeu është një institucion i përhershëm në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj, ai përvetëson, konservon, hulumton por mbi të gjitha komunikon me publikun rreth trashëgimisë së njerëzimit e gjithashtu edhe për historinë e një vendi, shkruan KultPlus.

Me rastin e 18 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, është organizuar punëtoria për Programin Kombëtar të muzeve në Kosovë.

Punëtorja profesionale në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Dafina Morina, e hapi këtë punëtori.

“Sot jemi mbledhë përveç se me zhvillu punëtorinë për programin kombëtar të muzeve në Kosovë, gjithashtu shënojmë edhe Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, që ka nisur si një iniciativë që ka nisur që nga viti 1977”.

Më pas, Morina ka ftuar edhe drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Lecin, i cili tregoi edhe për agjendën e ditës së sotme dhe një ekspozitë që do të hapet në ora 19:00.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeut, dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjitet këtij organizimi. Ne kemi parë një agjendë për ditën e sotme, ku do të fillojmë me këtë punëtori e më pas do të nënshkruajmë edhe një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, e për të vazhduar në mbrëmje me hapjen e një ekspozite me fotografitë e artefakteve të Kosovës që po mbahen në Serbi. Dua të përgëzojë edhe Komisionin që kanë të bëjnë me konceptin e Muzeut që kanë filluar punën në këtë drejtim”, përfundoi Leci duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrje dhe duke uruar edhe Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.

Morina tutje bisedoi edhe për pjesën e punëtorisë dhe aktivitetet që kanë zhvilluar ky komision, që në përbërje ka katër persona.

“Punëtoria, grupi që është themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të zhvilluar përkrahjen e muzeve në Kosovës ka filluar që nga muaji i kaluar dhe ky grup e ka një përbërje prej katër personave. Deri tash kemi zhvilluar disa prej aktiviteteve në kuadër të përmbledhjes së materialit, sfidave, problemeve dhe të mirat që Muzetë i kanë”.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve me temën “Fuqia e Muzeve” i ka dy objektiva të caktuara përmes fuqisë së të arritur të qëndrueshmërisë, fuqisë së inovacionit në digjitalizim dhe në qasje, si dhe fuqia e ndërtimit të komunitetit nëpërmjet komunikimit.

Këto objektiva, siç thotë Morina, gjithashtu ndërlidhen edhe me qëllimin e programit kombëtar për zhvillimin e projekteve, ku synohet fuqizimi i institucioneve të muzeve dhe të zhvillimit të një vizionit të përbashkët për ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e veprimtarisë krijuese nga e kaluara deri për gjeneratat e ardhshme.

“Në kuadër të këtij programit, gjatë viteve 2022/23 janë paraparë edhe hapat që do të ndikojnë në krijimin e një  baze stabile, legjislative, programore dhe kapitale për zhvillimin e muzeve në territorin e Kosovës. Në kuadër të këtij grupi ne kemi menduar që ta zhvillojmë punëtorinë e sotit në ndarjen e disa grupeve dhe katër grupe do të fokusohen në tema të caktuara në kuadër të kësaj punëtorie. Përzgjedhja e temave dhe ndarja e tyre si grup punues ka të bëjë me legjislacionin, interpretimin dhe ekspozimin, programet edukative dhe metodat e ruajtjes edhe invertarisë”, u shpreh punëtorja profesionale e këtij muzeu.

Në këtë konferencë u diskutua edhe për pjesën e hartimit të dokumentit, që vjen si rrjedhojë e kërkesave dhe nevojave të përbashkëta të punonjësve profesional të muzeve dhe avancimin e fushës së muzeologjisë në përgjithësi.

“Deri më tani grupi punues ka hartuar një pyetësor që i trajton veprimtarinë muzeale dhe ka ndarë me përfaqësuesit e muzeve në Kosovë, si dhe ka filluar edhe punën në terren për të dokumentuar gjendjen aktuale të muzeve qendror dhe atyre lokal, ku janë shfaqur problematikat e ngjashme gjithandej, si mungesë e stafit profesional, mungesë e buxhetit, objekte jo-adekuate, mungesë e trajtimit adekuat e trajtimit të koleksioneve si rrjedhojë e një problemi kryesor që vjen si rrjedhojë e mungesës së infrastrukturës ligjore në Kosovë”, përfundoi ajo.

Ndërkaq, Kryetarja e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, theksoi se është një hap shumë i mirë formimimi i grupit punues për të dokumentuar gjendjen ekzistuese të muzeve në Kosovë.

“Ndoshta është një gjë jo shumë e mirë që ende nuk kemi një dokumentim të mirë se sa koleksione ose sa lloje të muzeve ka në Kosovë, e aq më tepër pjesën legjislative kanë statut të akt-themelimit e shumë çështje të tjera. Është shumë e vërtetë që muzetë në përgjithësi, edhe vetë prej definicionit të muzeve, edhe rolit e fuqitë të cilat i kanë muzetë. Gjithmonë në kemi menduar që muzetë janë vende të ftohta, të cilat në një lloj forme e arkivojnë një pjesë të kaluar, ku mund ta vizitosh një muze vetëm një herë, pasi herave të tjera nuk do të jetë më interesante”.

Halimi pati disa fjalë edhe për pjesën që vizitat në Muze duhet të jenë më të shpeshta, për arsye se gjithmonë mëson diçka të re.

“Në fakt, ajo ka po shkon vetë muzeu edhe ideja që muzetë janë edhe vende ku ti mundesh me i vizitu shumë më shumë se një herë dhe çdo herë me mësu diçka të re, dhe kjo falë interaktivitetit dhe metodologjisë së re që përdoret nëpër muze, d.m.th. që përmendet digjitalizimi, interaktiviteti e çështje të tjera. Po ashtu është e rëndësishme që edhe vetë definicioni i muzeve, nuk e di cili do të jetë këtë vit, zgjidhet vetë, për të ndërruar e për t’i parë muzetë në qendra polifonike që përveç arkivimit, mund të bëjnë edhe një farë forme çështje të tjera që kanë të bëjnë, për atë arsye është edhe fuqia e muzeve, që edhe muzetë mund të përdoren si institucione për ndryshime shoqërore. Vetë muzeu është një institucion që ngërthen në vete dhe nxitë pyetje”, tha Halimi duke i ofruar përkrahjen e departamentit të cilit ajo udhëheq.

Në anën tjetër, drejtori i Muzeut, Ajet Leci, ka thënë për KultPlus se ka bashkëpunim të mirë mes muzeut që ai drejton dhe atyre qendror e rajonal.

“Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjitet datës 18 maj me aktivitete të ndryshme. E kemi filluar me një punëtori me një përbërje të komisionit për konceptit e muzeve, aty ndërlidhet edhe puna mes muzeve rajonal e qendror. Me Muzeun Kombëtar Historik kemi një kalendar të përbashkët me aktivitete të paraparë që kemi filluar t’i realizojmë disa ekspozita, ku njëra është mbajtur në fund të marsit që është mbajtur së fundmi. Ne kemi shtyrë për shkaqe teknike deri në qershor”.

Ai tutje tregon se ka bashkëpunime edhe me muzetë në Maqedoninë e Veriut, ku së shpejti Leci beson se do të ketë edhe një memorandum bashkëpunimi me këto institucione.

Sa i përket pjesës së digjitalizimit, Leci thotë se njëri ndër planifikimet për këtë vit është edhe pasurimi i ekspozitës bazë.

“I kemi dy ekspozita të përhershme në këtë institucion që jemi. Ekspozitën e arkeologjisë dhe historisë që përfshijnë të gjitha periudhat historike. Në planifikime bënë pjesë edhe digjitalizimi”.

Muzeu Kombëtar i Kosovës në vartësi të veten ka kompleksin “Emin Gjiku” dhe shtëpinë e pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova.

I pyetur se cila është fuqia e muzeut, sipas mendimit të tij, Leci thotë se ndërgjegjësimi i shoqërisë është fuqia kryesore e një muzeu.

“Domethënë, vetë fakti i emërtimit Muze Kombëtar i Kosovës ka një fuqi të madhe. Fuqia kryesore e muzeut është ndërgjegjësimi për të vizituar këtë pasuri që e kemi këtu. Sot e kemi edhe një ekspozitë ku i kushtohet një koleksioni të gjerë, rreth 1247 artefakte që i kemi, të cilat janë marrë nga Serbia gjatë luftës së fundit.

Një nga vendet më udhëzuese dhe edukative për të mësuar nga shtizat parahistorike te mumiet egjiptiane, nga skulpturat e lashta greke te armatura mesjetare dhe shumë e shumëçka tjetër janë pikërisht muzetë, që posedojnë artefakte madhështore të historisë. E pikërisht Muzeu Kombëtar i Kosovës ka rreth 50 mijë artefakte. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme