4 Gusht, 2025 - 11:03 am
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se po punohet për ta rikthyer Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë kombëtare.
Muzeu Historik Kombëtar, pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-tës është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi. Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme e këtij institucioni simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, aktualisht në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).
Ndërkohë, MEKI është në proces buxhetimi për fazën e dytë për të garantuar vijimin e këtij transformimi rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor./atsh/KultPlus.com