Muzeu i Shkencave të Natyrës, qendër e rëndësishme shkencore për faunën shqiptare

2 Tetor, 2023 - 1:24 pm

Në Ditën Botërore të Habitateve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, së bashku me specialistët e saj në AdZM Tiranë, Durrës dhe Elbasan, zhvilluan një vizitë pranë mjediseve të Muzeut të Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati”.

Muzeu i Shkencave të Natyrës është një qendër e rëndësishme shkencore e specializuar në fushën e vlerësimit të larmisë, monitorimit dhe inventarizimit të faunës shqiptare: Entomofaunës (Insektet), Herpetofaunës (Amfibët dhe Reptilët), Ornitofaunës (Shpendët), Mammalofaunës (Gjitarët), Makrobentofaunës (Molusqe, Krustace) etj.

Në mjediset e MSHN-së ekspozohen mbi 3000 ekzemplarë (eksponantë) dhe ka një fond shkencor me mbi 100 mijë ekzemplarë të faunës shqiptare.

Në këtë takim me stafin e muzeut u ndanë eksperiencat, vizioni dhe qëllimi i përbashkët, në ruajtjen e habitateve të pasura me florë dhe faunë por edhe zhvillimin në të ardhmen të aktiviteteve të përbashkëta edukative, për njohjen dhe edukimin e brezave të rinj me biodiversitetin dhe natyrën e Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme