“Muzeu im”, ekspozita e parë virutale e trashëgimisë familjare në Kosovë

7 Maj, 2020 - 8:00 pm

Në kuadër të përgatitjeve për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, po përgatitin një ekspozitë virtuale “Muzeu im”, e cila do të shënohet me 18 maj, duke i bërë thirrje qytetarëve të japin kontributin e tyre.

Për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid 19, ku shumë muze në botë qëndrojnë të mbyllur, aktivitetet e planifikuara për t’a shënuar këtë ditë ICOM do t’i sjellë në një formë të re në mënyrë digjitale.

Në njoftimin e MKRS-së thuhet se edhe Kosova i është bashkëngjitur kësaj nisme pasi që Muzeu Kombëtar i Kosovës që disa vite me radhë e feston këtë ditë me aktivitete të shumta, dhe për gati katër vite është pjesë e ICOM-it.

“Edhe këtë vit, në Kosovë do të bëhen organizime për ta shënuar këtë ditë me aktivitete e ngjarje kreative që do të sillen në mënyrë digjitale, e ku bën pjesë edhe ekspozita virtuale në fjalë”.

“Ekspozita virtuale e cila do të organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës ka për qëllim të sjellë muzeun më afër banorëve të Republikës së Kosovës, për ta ngritur vetëdijen rreth vlerave dhe ruajtjes së trashëgimisë dhe diversitetit tonë kulturor”.

“Konkretisht, Muzeu im është një aktivitet/ekspozitë virtuale e organizuar për të ndihmuar bashkëpunimin në mes komunitetit dhe Muzeut, dhe ofron një qasje të re për gjithpërfshirje duke integruar në ekspozitë koleksione nga trashëgimia familjare e banoreve të Republikës së Kosovës. Qëllimi është që duke qëndruar në shtëpi të ndërtojmë një ekspozitë virtuale me punime (vizatime, piktura, dizajnime), objekte (vegla pune, enë, orendi, punime të vjetra druri, metali, guri; veshje), fotografi të dërguara në format digjital”, thuhet në njoftim të MKRS-së.

Të ngjajshme