Muzeu “Marubi” sjell programin e Ditëve Europianë të Trashëgimisë

13 Shtator, 2023 - 1:13 pm

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” sjell programin e Ditëve Europianë të Trashëgimisë në mes datave 12-16 shtator. Tematika e Ditëve Europiane të Trashëgimisë 2023 është “Trashëgimia e Gjallë” që i referohet praktikave, dijeve dhe mjeshtërive që janë tejçuar ndër breza e që promovojnë në ditët e sotme, diversitetin kulturor dhe kreativitetin.

Këtë vit, Muzeu Marubi ka ndërtuar një program i cili i kushtohet ekspozitës së përkohshme të vëllezërve Janaki e Milton Manaki, fotografë e kineastë, ndër më të rëndësishmit e Ballkanit të fillim shekullit XX, përmes punëtorive dhe kontributeve të studiuesve të fushave të ndryshme të cilët hedhin dritë mbi historinë e krijimtarinë e Manakëve apo trajtojnë rituale që i gjejmë të pasqyruara në imazhet e tyre.

Duke nisur nga punëtoritë, pjesë e programit të edukimit mbi ekspozitën e duke vijuar me bisedat me Igor Stardelov, studiues e përgjegjës i arkivit të filmit në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut dhe Mikaela Minga muzikologe e cila do të prezantojë me një hulumtim të sajin mbi muzikën arumuno-vllehe, Ditët e Trashëgimisë përmbyllen të shtunën në darkë, me shfaqjen e dokumentarit të regjisores Eliza Zdru, i cili zë fill nga një fotografi e ruajtur në albumin e famijes që e nxit të rrugëtojë nëpër Ballkan, në kërkim të gjurmëve të Janaki dhe Milton Manaki.

Ky program është një nga stacionet e KultArt 2023, i mbështetur nga Ministria e Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme