Muzeu ‘Shtëpia me gjethe’, 149% më shumë vizitorë në shkurt 2024

5 Mars, 2024 - 6:28 pm

149% vizitorë më shumë në muajin shkurt 2024 regjistroi muzeu “Shtëpia me gjethe”, krahasuar me shkurtin 2023.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” ka nxjerrë statistikat për vizitorët për muajin shkurt 2024. Në total ishin 3415 vizitorë, nga të cilët vizitorë vendas 769 dhe vizitorë të huaj 2646. Ky numër është 149% vizitorë më shumë në shkurt 2024 krahasuar me shkurt 2023, kur muzeun e vizituan 1374 persona.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” ishte “Zgjedhja e Udhëtarëve” për vitin 2023 në Tripadvisor.

Tripadvisor jep çmimin “Zgjedhja e udhëtarëve” për akomodimet, atraksionet dhe restorantet që fitojnë vazhdimisht vlerësime të shkëlqyera nga udhëtarët dhe renditen në 10% më të mirë të destinacioneve turistike në Tripadvisor.

Muzeu “Shtëpia me gjethe”, i hapur më 23 maj 2017, është një nga muzetë më të veçantë në Shqipëri, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, periudhën komuniste. Është quajtur “Shtëpia me gjethe” për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj.

E pozicionuar në qendër të Tiranës, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret (ish-Sigurimi i Shtetit) nga viti 1944 – 1991.

Muzeu është konceptuar në 9 seksione, përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme