Muzikanti që nuk shikon, 18-vjeçari kompozon këngë në Gjirokastër (VIDEO)

10 Shkurt, 2021 - 5:55 pm

Andon Çepe është nxënës në shkollën e mesme artistike “Feim Ibrahimi” në Gjirokastër.

Djali nga Kalasa e Delvinës e ka të qartë që fëmijë çfarë do të thotë të përballesh me vështirësi. Megjithëse me shikim të limituar ai nisi të shkruante tekste këngësh me ndihmën e familjes kur ishte 13 vjeç dhe i këndonte vetë ato. Klarineta erdhi në jetën e tij si një pasion për kompozimin. Doni siç e thërrasin shokët dhe siç e njohin në botën e artit këndon, kompozon, shkruan dhe frymëzon të tjerët. Puna e tij është shumëfish më e madhe krahasuar me nxënësit e tjerë sepse i duhet të memorizojë çdo gjë.

“Që në fillim që kam nisur muzikën qoftë si këngëtar qoftë si klarinetist që po punoj tani, qëllimi maksimal është të kap skena të larta, thjesht majën. Sigurisht që duhet shumë punë. Mbaj mend pjesën plus që më ndihmon edhe profesori me çdo mënyrë të mundshme kështu që nuk na pengon në asnjë lloj aspekti kjo pjesë për mbarëvajtjen e studimit. Të heqësh dorë nuk ekziston fare në zgjedhjet që bëj”, tha Andon Çepe.

Pak muaj më parë Doni u zhvendos nga liceu “Jordan Misja” në shkollën artistike të Gjirokastrës ku menjëherë u rrethua nga miq të rinj. Edhe Armandi mësuesi i tij i klarinetës beson se talenti dhe këmbëngulja e Donit do të shpërblehet.

 “Andoni është i veçantë në mënyrën sesi ai studion, në përkushtimin që ai ka dhe është një njeri me shumë vullnet. Kjo ishte një gjë që mua më ka habitur vërtetë dhe ma ka rritur edhe mua dëshirën për të gjetur dhe për të kërkuar mënyra më efektive për këtë nxënës. Unë mendoj se aty ku ka dashuri për artin asgjë nuk është e vështirë”, tha mësuesi.

Andon Çepe vetëm 18 vjeç di shumë gjëra për jetën. Ai është rrëzuar dhe ringritur, ka provuar, riprovuar dhe ja ka dalë dhe e ëndërron veten në majat e skenës./tch/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme