Na ngriu në buzë të qeshurën dhe gëzimin na e ktheu në hidhërim, lajmi i ikjes së Gëzim Krujës

5 Prill, 2020 - 5:30 pm

Shkruan: Albert Vataj

Gëzim Kruja, të gjallët e këtij humoristi të madh të skenës shkodrane dhe asaj gjithëshqiptare, që nga sot, 5 prill 2020 nuk është më. Gëzim Kruja, u lind më 4 dhjetor 1939. Një jetë në skenën shkodrane të humorit, ka spikatur me rolet dhe karakteret që ai jetësoi për ti pavdekësuar në repertorin e larmishëm të humorit.

Karriera gazmuese e Gëzimit mësohet të ketë nisur në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin në qytetin kur është ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën Profesioniste të Shkodrës, për të vijuar për pesë dekada përpjekje dhe sfidë, punë dhe arritje, që e bënë emrin e Gëzim Krujës një logo të humorit.

Zëri i tij kishte kohë që ishte kyçur në robërinë e një sëmundjeje, e cila i ndali edhe zemrën që trokiti kaq gjatë në kraharorin e tij dhe dëshirimet e gjithë atyre që qeshën dhe gazmuan me humorin që ai solli.

Duhet që ai të shuhej, që ne të gjithë të kujtoheshim për të. Edhe për Gëzim Krujën, si për shumë prej atyre që i dhanë artit dhe skenës, traditës së vlerave, veprën e përkushtimit dhe sakrificave, ishte e njëjta harresë që e bëri lëngimin e gjatë të sëmundjes, më të dhimbshëm dhe më të trishtë. Ai luftoi me sëmundjen njëjtë si me harrimin dhe humbi, për të fituar nder dhe respekt, përulësi dhe mirënjohje, së paku në këto çaste lamtumire.

Ai nuk është më, por vepra e tij e bujrshme krijuese dhe interpretuese, do të mbeten një testament vlerash, obligim dhe mirënjohjeje. Rrugëtimin prej 52 vitesh të mëkues të artit të humorit, e shkruan vepra e tij, në të cilën bën pjesë: 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmore. Pjesë e këtij obelisku të lartë të promovimit të traditës shkodrane të humorit është interpretimi që ai realizoi në rreth njëmijë role në skeçe të ndryshme. Në vitin 2004 puna e tij, përpjekjet dhe përmbushja e angazhimeve artistike u nderua me titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 vlerësohet me titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin, “Mjeshtër i Madh”.

Një ditë dhe katër muaj pas festimeve të ditëlindjes së tij të 80-të, një përvjetor që spikati nga harrimi dhe braktisja, ai “i fton” të gjithë ta përcjellim në heshtje dhe pikëllim nga shtëpitë tona. Në këtë kohë ngujimi nga përndjekja e koronavirusit, nderimi dhe përcjellja e merituar e këtij emri të rëndësishëm të humorit do të jetë e pamundur.

Ngushëllimet më të sinqerta shkojnë për familjarët, miqtë dhe kolegët, në mesin e të cilëve do të mungojë energjia pozitive e një njeriu të hareshëm dhe dhe një aktori të palodhur, një kolegu të veçantë dhe një bashkëpunëtori korrekt, që dhuroi kaq shumë role, duke skalitur një emër nderi në panteonin e vlerave, prejnga do ta kujtojmë përgjithnjë.

Të ngjajshme