NASA: Misioni Artemis 1 pritet të kryhet në nëntor

1 Tetor, 2022 - 12:10 pm

Agjencia amerikane e hapësirës (NASA) njoftoi të premten se përpjekja e radhës për të nisur raketën në Hënë do të bëhet në nëntor, pa caktuar ende një datë specifike për misionin tashmë të vonuar Artemis 1.

Sipas NASA-s, misioni pa pilot në Hënë vlerësohet të kryhet mes 12-27 nëntorit. Data e saktë do të përcaktohet nga ekspertët në ditët në vijim, tha NASA në një postim në internet. Deri dje, mundësia e një nisjeje në tetor mbeti e hapur.

Në fillim të kësaj jave, raketa Space Launch System (SLS), më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë nga NASA, duhej të kthehej në ndërtesën e montimit në Qendrën Hapësinore Kennedy për ta mbrojtur atë nga uragani Ian që goditi Florida.

Çfarë thotë NASA për raketën hapësinore

Raketa hapësinore nuk pësoi “asnjë dëmtim”, theksoi NASA. Përpara se ta kthejnë raketën në pikën e lëshimit, teknikët e NASA-s do të duhet të kryejnë kontrolle të shumta.

Misioni pa pilot Artemis 1 në Hënë tashmë është shtyrë dy herë, për shkak të rrjedhjeve të karburantit, në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit.

Artemis është programi i ri kryesor i NASA-s për të kthyer astronautët në Hënë. Misioni Artemis 1 do të jetë pa pilot për të verifikuar që kapsula Orion, në majë të raketës SLS, është e sigurt për transportin e ekuipazhit të ardhshëm./abcnews.al/KultPlus.com

Të ngjajshme