5 Gusht, 2025 - 9:15 pm
Agjencia hapësinore amerikane, NASA, është duke përshpejtuar planet për ndërtimin e një reaktori bërthamor në sipërfaqen e Hënës deri në vitin 2030, raportojnë mediat amerikane. Kjo nismë është pjesë e objektivit afatgjatë të SHBA-së për krijimin e një baze të përhershme njerëzore në Hënë.
Sipas raportimit të Politico, kreu në detyrë i NASA-s ka theksuar se edhe Kina dhe Rusia kanë plane të ngjashme, duke ngritur shqetësime se ato mund të shpallin “zona ndalimi” në Hënë në të ardhmen.
Ndërsa ambiciet janë të mëdha, disa shkencëtarë kanë shprehur dyshime për realizimin e këtij projekti brenda afatit të përmendur, sidomos pas shkurtimeve të fundit buxhetore të NASA-s. Po ashtu, janë ngritur shqetësime se nisma të tilla udhëhiqen më shumë nga interesa gjeopolitike sesa nga nevoja shkencore.
SHBA, Kina, Rusia, India dhe Japonia janë në garë për eksplorimin e Hënës, me qëllimin final të krijimit të vendbanimeve të përhershme njerëzore në të ardhmen e afërt. Reaktori bërthamor shihet si një burim i qëndrueshëm energjie për misione afatgjata në hapësirë./KultPlus.com