17 Korrik, 2025 - 2:02 pm
Edicioni i shtatë i Etno Fest 2025 solli një përballje të thellë me çështjen e identitetit shqiptar në Sanxhak, përmes debatit, artit skenik dhe trashëgimisë kulturore. Në një atmosferë të ngrohtë, pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime thelbësore mbi ruajtjen e identitetit kombëtar në rajonet që ndodhen përballë sfidave të asimilimit dhe harresës historike.
Debati u mbajt me temën “Identiteti i zhbërë në Sanxhak” dhe mblodhi në një panel emra të njohur si Ismet Azizi, kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ali Daci, profesor nga Rozhaja, dhe Qazim Namani, arkeolog e ekspert i trashëgimisë kulturore.
Përmes shembujsh historikë dhe dëshmive autentike, u trajtua procesi i zbehjes së identitetit shqiptar në rajonet si Rizhaja, Tregu i Ri dhe Tutini. Ismet Azizi prezantoi një ekspozitë me fotografi që dokumentojnë ndrydhjen dhe asimilimin e shqiptarëve në këto zona, ndërsa Ali Daci solli dëshminë e udhëtares britanike Edit Durham, e cila në fillim të shekullit XX kishte vërejtur se vetëm dy familje nuk flisnin shqip në Rozhajë.
Në këtë kontekst, u përmend edhe Okarina – një instrument muzikor i periudhës së neolitit i zbuluar në Runik më 1968 – si dëshmi e lashtësisë dhe autoktonisë shqiptare në këto troje. Rikonstruksioni i saj u realizua nga mjeshtri Shaqir Hoti.
Arkeologu Qazim Namani përshkroi me saktësi fazat historike të asimilimit të shqiptarëve nga shekulli XVIII deri më sot, duke theksuar edhe mungesën e vullnetit institucional për të ndriçuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë.
Konkluzioni i debatit ishte i qartë: duhet të qëndrojmë vertikalisht në etnokulturë për të ruajtur dhe pasuruar identitetin kombëtar.
Pjesë e veçantë e festivalit ishte performanca e Ansamblit “Vaçe Zela” nga Lushnja, i cili solli këngë e valle tradicionale, si dhe veshje kombëtare që pasqyrojnë mozaikun e pasur të identitetit kulturor shqiptar. Atmosfera festive u pasurua me bashkëpunimin e ngrohtë mes mysafirëve dhe anëtarëve të ansamblit, të cilët kënduan dhe vallëzuan së bashku.
Një tjetër moment kulmor i Etno Fest ishte monodrama “Arka” me autor dhe interpretues aktorin Mentor Zymberaj. Përmes një rrëfimi emocional që zhvillohet në kohë reale në skenë, personazhi përballet me kujtimet e tij familjare – nga babai intelektual deri tek vëllai i vogël i dashuruar pas figurës së Charlie Chaplinit.
Kostumet familjare, ora e ndalur dhe një letër e nënës tërheqin emocionin e publikut, duke e kthyer skenën në një arkë të kujtesës që secili nga ne e mban brenda vetes. Me një lojë të saktë, pa teprime, Zymberaj e udhëhoqi shfaqjen deri në kulm, ku dhimbja dhe qeshja u shkrinë në një emocion të përbashkët, të përshëndetur me duartrokitje të gjata.
Etno Fest 2025 dëshmoi edhe njëherë se arti dhe kultura janë forca jetike në mbrojtjen e identitetit. Me diskutime të thella, prezantime të pasura kulturore dhe vepra artistike që prekin shpirtin, festivali mbetet një thirrje për vetëdijesim dhe veprim në ruajtjen e trashëgimisë sonë./KultPlus.com