Ndahet nga jeta Loni Anderson, ikona televizive e viteve ’80

5 Gusht, 2025 - 9:30 am

Loni Anderson, e cila u bë e famshme për rolin e recepcionistes së zgjuar dhe tërheqëse në komedinë televizive “WKRP in Cincinnati”, ka ndërruar jetë vetëm pak ditë para ditëlindjes së saj të 80-të.

Seriali, i transmetuar nga viti 1978 deri më 1982, ishte i vendosur në një stacion radiofonik të Ohio-s që përpiqej të ringjallej përmes muzikës rok. Krahas Anderson, e cila luante rolin e Jennifer Marlowe, pjesë e kastit ishin edhe Gary Sandy, Tim Reid, Howard Hesseman, Frank Bonner dhe Jan Smithers.

Anderson ndërroi jetë në një spital në Los Angeles, pas një “sëmundjeje të zgjatur”, sipas publicistes së saj prej kohësh, Cheryl J. Kagan.

“Jemi të pikëlluar të njoftojmë ndarjen nga jeta të gruas sonë të dashur, nënës dhe gjyshes,” thuhet në deklaratën e familjes së Anderson.

Si recepsioniste e stacionit, Jennifer, bionde, gjithmonë me taka të larta, përdorte sharmin e saj për të shmangur thirrjet e padëshiruara për shefin e saj, zotin Carlson. Efikasiteti i saj shpesh e mbante stacionin funksional, përballë kaosit të shkaktuar nga të tjerët.

Ky rol i solli Anderson dy nominime për çmimin Emmy dhe tri për çmimin Golden Globe. Ajo gjithashtu u shfaq në ekranin e madh përkrah Burt Reynolds në komedinë “Stroker Ace” më 1983. Çifti u martua më vonë, duke u bërë një nga çiftet më të komentuar në media në atë kohë, përpara se të ndaheshin në vitin 1994.

Loni Anderson lë pas bashkëshortin e saj Bob Flick, vajzën Deidra dhe dhëndrin Charlie Hoffman, djalin Quinton Anderson Reynolds, mbesat McKenzie dhe Megan Hoffman, djalin e bashkëshortit Adam Flick dhe bashkëshorten e tij Helene, si dhe nipërit nga kjo martesë, Felix dhe Maximilian. /CNN/KultPlus.com

Të ngjajshme