Ndahet nga jeta Shefik Pallaska, udhëheqësi i grupit legjendar “Ashikët”

16 Korrik, 2025 - 2:28 pm

Një lajm i trishtë ka goditur sot skenën muzikore dhe komunitetin artistik të Gjakovës. Shefik Pallaska, udhëheqësi i grupit të njohur të këngës qytetare shqiptare “Ashikët”, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të thellë në kulturën dhe artin muzikor shqiptar.

Lajmi për ndarjen e tij erdhi pikërisht në kohën kur Radio Gjakova po përgatitej për emisionin e natës së nesërme, i cili do të ishte i dedikuar grupit të tij, një rastësi që e bën këtë humbje edhe më të dhimbshme. Shefik Pallaska ishte një figurë me peshë në skenën kulturore të Gjakovës dhe më gjerë, i njohur për përkushtimin dhe pasionin që e karakterizonte gjatë gjithë jetës së tij artistike, përcjellë KultPlus

Nën drejtimin e tij, grupi “Ashikët” realizoi 12 projekte muzikore me këngë të zgjedhura qytetare nga të gjitha trevat shqiptare, duke i dhënë jetë një repertori të pasur që ruante thelbin e traditës sonë muzikore. “Ashikët”, të përbërë nga muzikantë të moshës së tretë, u shndërruan në një simbol të dashurisë për artin, me një shpirt rinor që nuk shuhej kurrë, e që rezononte në çdo dalje të tyre publike. Përveç angazhimit me “Ashikët”, Pallaska ishte edhe një anëtar i hershëm i Korit të Burrave të Gjakovës dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm për dekada në organizimin e koncerteve, festivaleve dhe mbrëmjeve artistike, duke e bërë emrin e tij të pandashëm nga jeta kulturore e qytetit.

Figura e tij lidhet ngushtë me Çarshinë e Madhe të Gjakovës, aty ku shpesh dëgjoheshin tingujt e ëmbël të këngëve qytetare që ai i solli me aq dashuri. Për nder të jetës dhe veprës së tij, nesër më 17 korrik, në orën 12:00, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” do të mbahet një mbledhje komemorative, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet po nesër në orën 17:00.

Radio Gjakova dhe e gjithë skena kulturore i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Pallaska, miqve, kolegëve dhe të gjithë adhuruesve të muzikës qytetare shqiptare për këtë humbje të madhe. Edhe pse Shefik Pallaska është ndarë nga jeta, muzika që ai la pas do të vazhdojë të jetojë si një testament i shpirtit të tij artistik./KultPlus.com



Të ngjajshme