12 Qershor, 2025 - 10:44 pm
Dardha është një nga perlat e turizmit malor në juglindje të vendit. Ky fshat turistik, i cili tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit, po përfiton një ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturë, për t’iu përgjigjur siç duhet fluksit të vizitorëve dhe nevojave të përditshme të komunitetit.
Rruga hyrëse e fshatit po shtrohet me asfalt, ndërsa në qendër po rivendoset kalldrëmi karakteristik që ruan identitetin dhe hijeshinë tradicionale të zonës. Punimet po realizohen nga bashkia e Korçës në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Punimet përfshijnë: 5000 m² asfaltim në rrugën hyrëse si edhe 1400 m² kalldrëm në zemër të fshatit.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo bëri të ditur se, ky investim do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe do ta bëjë Dardhën më të aksesueshme për vizitorët, duke ruajtur vlerat historike dhe kulturore që e bëjnë kaq të veçantë këtë destinacion./atsh/KultPlus.com