21 Korrik, 2025 - 6:04 pm
Kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Vlorë, Monument Kulture i Kategorisë së Parë do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur sot se kjo ndërhyrje do të realizohet për shkak të gjendjes së dëmtuar në disa segmente të kalasë.
“Kalaja e Gjon Boçarit do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese, për të ruajtur dhe valorizuar trashëgiminë e saj të çmuar”, theksoi IKTK në një postim në rrjetet sociale.
Kjo kala ka rëndësi të veçantë historike dhe arkitektonike.
E ndërtuar në shekullin XVI dhe e zgjeruar në shekullin XVII, kjo kala përfaqëson një shembull tipik të arkitekturës mbrojtëse të periudhës.
Ka një planimetri katërkëndëshe kënddrejtë (30 x 18 m), me dy kulla poligonale në qoshet veriore dhe lindore, të cilat kanë shërbyer për mbrojtje dhe vrojtim.
Lartësia e mureve, deri në shtegun e rojes, arrin 4 m, ndërsa parapeti i ruajtur vetëm si gjurmë, kishte një gjerësi prej 0,54 m. Në shtegun e rojës të çonin dy palë shkallë të ndërtuara brenda trashësisë së mureve veriperëndimore dhe juglindore. Kullat janë krejtësisht të hapura nga ana e brendshme e fortifikimit, duke qenë kështu më tepër një vazhdim i mureve rrethuese./KultPlus.com