Vdes aktori Anastas Kristofori

2 Shkurt, 2022 - 1:10 pm

Arti shqiptar humbet një tjetër emër të njohur të kinematografisë. Aktori Anastas Kristofori ndërroi jetë sot në moshën 78-vjeçare.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970,fillon punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971.

Të shumtë do të jenë interpretimet e tij në skenën e këtij teatri. Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli I sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës,rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera.

Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot liria në derë”. Në kinematografi roli I tij I parë do të jetë në vitin 1976 roli i Stavrit ,Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure” më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si psh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982,rolin e z.Antonio,Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984,rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj.

Roli i tij më i fundit do të jetë roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998 një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit. Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”./ KultPlus.com

Të ngjajshme