Në 24 vjetorin e sulmit të dytë ndaj kullës së Jasharajve, Kurti viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

22 Janar, 2022 - 5:31 pm

Sot shënohet 24-vjetori i sulmit të dytë ndaj familjes Jashari ku u plagosën Selvete (Hamëz) Jashari dhe Iliriana (Rifat) Jashari.

E kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz për të parë nga afër ndërhyrjet emërgjente për restaurimin e tyre.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Tre herë ia mësynë familjes dhe kullës së Jasharajve forcat policore e ushtarake serbe. Sot e përkujtojmë 24 vjetorin e sulmit të dytë. Me 22 janar 1998 u plagosën Selvete (Hamëz) Jashari dhe Iliriana (Rifat) Jashari. Selvetja u vra në Epopenë e UÇK-së një muaj e gjysmë më vonë.

Në këtë përvjetor pashë nga afër ndërhyrjet emergjente dhe fillestare në kullat e Jasharëve që për qëllim kanë mbrojtjen nga degradimi dhe konservimin e këtij margaritari të historisë sonë, sa të lavdishme aq edhe të dhimbshme. Angazhimi ynë për jetësimin e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz vazhdon me hartimin e detyrës projektuese dhe shpalljen e konkursit ndërkombëtar gjatë këtij viti./ KultPlus.com

Të ngjajshme