Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë mbahet Forumi Akademik ‘Turizmi 2030: Sfida të turizmit për një edukim cilësor dhe digjitalizim’

24 Nëntor, 2023 - 6:00 pm

Sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në sallën “Aleks Buda”, u mbajt forumi “Turizmi 2030: Sfida të turizmit për një edukim cilësor dhe digjitalizim” “, organizuar nga Komisioni i Shkencave Ekonomike, Çështjeve Sociale dhe Juridike i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në forum morrën pjesë, studiues, anëtarë të komisionit, pedagogë universiteti. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të politikave ndërkombëtare dhe zhvillimeve të industrisë së turizmit në vendin tonë, veçanërisht në vitet e fundit, por dhe në këndvështrimin e zhvillimit në perspektivë të këtij sektori.

Forumin e çeli akad.Anasatas Angjeli, i cili foli rreth reformës së suksesshme që ka zbatuar Akademia e Shkencave të Shqipërisë në zbatimin e shkencave bazike në ato aplikative . Në këtë rast Komisioni i Shkencave Economike, Çështjeve Sociale dhe Juridike i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ofron ekspertizën e duhur për një nga sektorët më jetik të ekonomisë së vendit.

Më andej forumin e përshëndeti Zevendëministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, znj Vilma Bello me temë “ Si do të marketohet Shqipëria në 2030: nevojat për edukim”. Zvministrja Bello theksoi mobilizimin e komunitetit akademik/shkencor për hulumtim të çështjeve të turizmit. Kjo ka një rëndësi thelbësore në zhvillimin e turizmit si sektor dhe në pasurimin përmbajtësor të analizave dhe diskutimeve që ka zgjuar ky sektor. Disa ditë më parë, -vazhdoi ajo- shënuam 9 milionë turistë për këtë vit në Shqipëri – një arritje e jashtëzakonshme për të gjithë sektorët kontribues në turizëm; kjo vjen pas publikimit të fundit të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) të barometrit të turizmit botëror, ku Shqipëria renditet në vendin e tretë në botë dhe të parin në Evropë për rritjen e flukseve të vizitorëve të huaj (+56%) për muajt janar-korrik 2023.

Në takim referuan dhe diskutuan Prof.dr. Klodiana. Gorica me temën “ Sfidat e turizmit shqiptar në kontekstin Rajonal: Edukimi, kërkimi shkencor dhe modele të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm” , akad. asocuar, Kozeta Sevrani me temën “ Zhvillimet e teknologjisë digjitale në turizëm”, Elona Shehu, dhe Eni Nasi me temën, “ Pozicioni i turizmit në ekonominë e Shqipërisë nëpërmjet modelit Input-Output”

Një nga ristë e forumit është lidhja e ngushtë e dijeve bazike me ato të aplikuara. Në këtë kontekst në forum referuan Enver Mehmeti nga kompania turistike VAS TOUR me temën “ Turizmi i qëndrueshëm dhe sezonaliteti”, përfaqësues nga Elite Travel Group me temën “Dixhitalizimi në mikpritje dhe turizëm” dhe Menaxheri i Përgjithshëm Mr. Selcuk Kazan nga Hilton Garden Inn me temën “Roli i biznesit në krijimin e mundësive për forcën e punës në Shqipëri për t’u aftësuar për të punuar në industrinë e hoteleri-turizëm”.

Në fund të forumit pati shkëmbime mendimesh, pyetje dhe përfundime që referuan gjëndjen e turizmit në Shqipëri dhe sfidat për të arritur standartet moderne në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit./KultPlus.com

Të ngjajshme