Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë themelohet Instituti Kombëtar i Fizikës

17 Qershor, 2021 - 11:29 pm

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë sot më 17 qershor është themeluar Instituti Kombëtar i Fizikës, model i parë i këtij lloji në Shqipëri.

Mbledhja themeluese u mbajt me praninë fizike dhe online të anëtarëve të parë të bordit të Institutit Kombëtar të Fizikës;   akad. Rexhep Meidani, akad. Floran Vila, prof. Halil Sykja, dhe me pjesëmarrjen e fizikanëve shqiptarë që punojnë në qendrat shkencore brenda dhe jashtë trojeve tona dhe akad. asoc. Mimoza Hafizi, prof. Ardian Gojani, prof. Orion Çiftja anëtarë të Akademisë dhe Kryesisë.

Veprimtarinë për themelimin e Institutit të Fizikës e çeli akademik Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, që ia dha fjalën e hapjes e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushit.

Kryetari i Akademisë së Shkencave foli për rolin e ngritjes së njësive të reja dhe instituteve në kuadër të reformës dhe theksoi se “prej kohësh është debatuar këtu midis fizikanëve dhe matematikanëve ideja e krijimit të dy institutive të fizikës e të matematikës. Pra, qëllimi i të gjitha këtyre njësive apo instituteve është që komuniteti përkatës, konkretisht i fizikanëve të krijojnë një pikë kohezioni për të afruar një armatë apo mjaft kontigjente fizikanësh, që së bashku me kolegët e vet që punojnë në departamente apo institute brenda Shqipërisë të punojnë me kolegët që jetojnë jashtë Shqipërisë, tha akad. Gjinushi, ndërsa në shenjë nderimi përmendi kontributin e fizikanit të shquar shqiptar, Artan Boriçi, të ndarë pak muaj më parë nga jeta, një nga nismëtarët e këtij instituti.

Gjatë diskutimeve lidhur me vizionin e Institutit Kombëtar të Fizikës, akad. Rexhep Meidani përshëndeti iniciativën dhe tha se Instituti Kombëtar i Fizikës do të shërbejë si një kupolë mbështetëse për kërkimin shkencor.

“Shpresoj shumë se do të arrijmë të kontaktojmë me shkencëtarët në trojet shqiptare dhe se do t’i shërbejë brezit të ri për t’u lidhur me pikat më të rëndësishme të kërkimit shkencor në botë, -tha akad. Meidani.

Akad. asoc. Mimoza Hafizi ka falënderuar Akademinë e Shkencave, e veçanërisht kryetarin, akademik Gjinushin si ideatorin e parë dhe tha se:

“Jam veçanërisht e gëzuar që po finalizojmë një ide të nisur nga kryetari i Akademisë rreth një vit më parë dhe të pasuar nga përpjekjet për të shqyrtuar situatën ku ndodhemi ne, fizikanët shqiptarë që punojmë në qendra shkencore brenda dhe jashtë trojeve tona. Është fjala për një bashkësi rreth 150-200 individësh, një pjesë e të cilëve grupuar në universitetet shqiptare dhe një pjesë tjetër të shpërndarë anekënd globit. Unë e çmoj si bashkësi të përbërë nga njerëz me integritet të lartë moral, të formuar përmes punës dhe të mbajtur të paprekur nga talenti që i karakterizon njerëzit që kanë vendosur t’i përkushtohen shkencës sonë. Për këtë arsye, në çdo moment kemi patur bindjen se kjo bashkësi duhet të konvergjojë në një grup sa më koherent, për të mirën e gjithësecilit dhe për të mirën e vendit tonë, vendeve tona.” – tha akad.asoc. Hafizi

Për rëndësinë e ngritjes së Institutit Kombëtar të Fizikës ka folur edhe akad. Florian Vila që e konsideroi si një nismë të rëndësishme që do t’ju shërbejë shkollave dhe universiteteve shqiptare.

Prof. Ardian Gojani vlerësoi mundësinë që krijon ky institut për një bashkëpunim të hapur mes shkencëtarëve.

Prof. Erjon Çiftja, fizikani shqiptar i punësuar në Universitetin e Teksasit tha se Instituti Kombëtar është me rëndësi, sepse ndikimi i këtij instituti në zhvillimin e shkencës, ndikon edhe në zhvillimin e vendit.

Pas diskutimeve u krijua bordi i Institutit Kombëtar të Fizikës me 6 anëtarë, ku drejtor i parë i këtij bordi u zgjodh akad. Rexhep Meidani.

Drejtuese ekzekutive e Institutit Kombëtar të Fizikës u zgjodh akad. Asoc. Mimoza Hafizi. Ky institut do të jetë i përfshirë në një rrjet ndërkombëtar.

Instituti Kombëtar i Fizikës IKF është strukturë që funksionon brenda Akademisë së Shkencave (ASH) dhe funksionon kryesisht përmes faqes elektronike xxx.akad.gov.al të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. /shqiptarja/ KultPlus.com

Të ngjajshme