Në Bronx Diaspora Shqiptaro Amerikane protestoi për mosemërimin e rrugës “Fan Noli”

27 Shkurt, 2022 - 5:30 pm

Nga Keze Kozeta Zylo

Ditën e shtunë në orën një mbasdite Diaspora Shqiptaro Amerikane u mblodh në Bronx dhe protestoi plot kulturë për t’i vendosur një rrruge në Morris Park të Bronxit emrin e burrit të ndritur të Kombit Shqiptar dhe Amerikan Fan Stelian Noli. Z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”ish Këshilltat në Bashkinë e Nju Jorkut dhe Ansambleist në shtetin e Nju Jorkut së bashku me Vatrën nën drejtimin e kryetarit të saj z.Elmi Berisha udhëhoqën këtë protestë kundër bllokimit të emërimit të rrugës me emrin e Fan Nolit. Ata akuzuan këshilltaren Marjorie Velazquez e cila ka bllokuar emërimin e rrugës “Fan Noli” rrugë në seksionin Morris Park të Bronxit ku iu bashkuan dhe shumë aktivistë të njohur të komunitetit në protestë. Për gjithë Diasporën Shqiptaro Amerikane emërimi i rrugës me emrin e ndritur të Fan Nolit do të ishte një nga lajmet më të bukura çka do të bënte krenar çdo shqiptar e bir shqiptar në çdo cep të globit sepse është nje vlerësim që i bëhet kontributit të jashtëzakonshëm të Fan Nolit. Po në këtë ditë u bë Kuvendi i Vatrës ku u mbajtën zgjedhjet dhe ishte planifikuar që pas zgjedhjeve të inagurohej kjo ditë e madhe për Kombin. Moderatorja zonjusha Ornela Beshiri e cila e drejtoi me profesionalizëm këtë protestë kritikoi ashpër këshilltaren Velazquez për këtë situatë të nderë që krijoi në komunitetin shqiptaro amerikan në Bronx. Pas Himneve kombëtare të Shqipërisë dhe të Amerikës pastori David Hernquist bekoi protestën nën emrin e Zotit. U mbajt një minutë heshtje si homazh për të rënët në luftë në Ukrainë gjatë pushtimit të Rusisë urdhëruar nga Vladimir Putini. Kryetari ri i rizgjedhur i Vatrës përshëndeti protestuesit dhe tha se ne do të përpiqemi fort deri në emërimin e rrugës së Fan Nolit, pasi ai e ka merituar me kohë dhe do të vazhdojmë protestat derisa të zgjidhet ky ngërç tejet pengues. Fan Noli ishte kryeministër shqiptar dhe themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili dha gjithashtu nje kontribut për shumë vite në SHBA. Sot ne kemi Vatrën e tij prej 110 vitesh dhe vazhdon të jetë krenari kombëtare. Në këtë protestë përshëndetën mjaft politikanë të zgjedhur amerikanë dhe ajo që të bën përshtypje dhe të krijon respekt është se midis tyre Ansambleisti Michael Benedetto gjithmonë është pranë kauzës së çështjes shqiptare. Do të ishte një gjë e shkëlqyer për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan. Nuk e di pse ka një pengesë, tha Benedetto. Në protestë folën dhe kritikuan ashpër si znj. Nathalia Fernadez Ansambleiste e shtetit të Nju Jorkut një mike e madhe e shqiptarëve. Z.Ardhmir Malziu ndihmës këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut gjithashtu moderoi një pjesë të programit gjatë protestës dhe me ovacione u mirëprit Z.Gjonaj shqiptari i parë i zgjedhur në Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut. Ai tha: “Fan Noli është hero. Të hiqet ky moment krenarie kulturore dhe të kapet pas politikës së imët është një shuplakë për të gjithë ne. Ne do të luftojmë si shqiptaro-amerikanë, sepse ne kontribuojnë shumë për qytetin tonë, dhe nuk do të lemë askënd t’i mohojë këto kontribute si të pa rëndësishme. Këtë protestë kundër bllokimit të rrugës me emrin e Fan Nolit e përshëndetën dhe nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit të cilët festuan me madhështi 14 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ata përshëndetën me këngën: “Xhamadani vija-vija” drejtuar nga artistja e mirënjohur Valbona Peraj. Ata janë rritur në shkollë me Fan Nolin dhe vargjet lapidar të tij si Mbahu nëno mos ki frike se ke djemtë në Amerikë janë të ngjizura në shpirtin e tyre. Protestuesit dhe gjithë Diaspora Shqiptaro Amerikane shpreson se së shpejti do të bëhet inagurimi i rrugës me emrin e Fan Nolit. Fan Noli nderohet nga Diaspora dhe në Shqipëri si themelues i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës, bashkimit kombëtar dhe ekumenizmit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e Shqipes si Gjuhë Kombëtare e Shqipërisë me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore. Ai gjithashtu shkroi gjerësisht në anglisht: si studiues dhe autor i një sërë botimesh për Skënderbeun, Shekspirin, Bethovenin, tekste fetare dhe përkthime. /KultPlus.com

Të ngjajshme