Në emër të Vlora Dumoshit jepet lajmi për vdekjen e Kadaresë, reagon ministrja

5 Shkurt, 2020 - 1:31 pm

Ministrja e re e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka qenë viktimë e sulmeve kibernetike, pak orë para se ta marrë zyrtarisht postin e saj. Dikush ka hapur llogari në Twitter me emrin e saj, dhe ka shpërndarë lajme të rreme, duke thënë se ka vdekur shkrimtari Ismail Kadare

Një llogari në rrjetin social Twitter, me emrin e ministres Dumoshi, sot ka publikuar disa postime në të cilat thuhej se ka vdekur shkrimtari Ismail Kadare.

Postimet janë shkruar në gjuhën angleze, madje në njërin prej tyre thuhet se lajmin për vdekjen e Kadaresë, Dumoshit ia ka konfirmuar edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë, Elva Margariti.

Pas këtyre postimeve në Twitter, ka reaguar ministrja Dumoshi në profilin e saj në Facebook, ku ka thënë se ajo nuk ka asnjë llogari në Twitter.

“Sapo u njoftova se dikush ka hapur një llogari të rrejshme në emër timin në rrjetin social Twitter dhe të njëjtën e ka keqpërdorur, duke lëshuar lajme të rrejshme -fake news. Dua të ju informoj se unë nuk kam asnjë llogari në Twitter”, ka shkruar Dumoshi.

Madje ajo ka shtuar se këtë rast do ta paraqesë në Departamentin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.

“Menjëherë do ta paraqes rastin në Policinë e Kosovës, departamentin e krimeve kibernetike.
Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këdo që mund të jetë trazuar nga këto lajme të rrejshme, duke keqpërdorur emrin tim”, ka shkruar Dumoshi.

Të fundit

Të ngjajshme