Në Kosovë pritet të ndërtohet për herë të parë një memorial për kontributin e grave në luftë

6 Tetor, 2020 - 9:49 am

Përgjatë luftës kontributi i grave ka përfshirë fusha të ndryshme. Ato i kanë kapur armët, e kanë mbajtur gjallë familjen në kohë të vështira dhe fatkeqësisht janë bërë “pre” e armikut, shkruan KultPlus.

Pikërisht për ta nderuar këtë sakrificë, gratë e fshatit Carrabreg i Epërm të Komunës së Deçanit po mendojnë të ndërtojnë një memorial për to, shkruan KultPlus.

Idenë për këtë memorial e ka bërë të ditur njëra ndër organizatoret, Shpresa Loshaj duke publikuar një fotografi në profilin e saj në facebook, nga mbledhja e tyre në odë.

Ajo bën të ditur që ky memorial do t’iu dedikohet përvojës dhe rolit të grave, teksa ideja ka lindur nga përjetimet që gratë kanë pasur përgjatë luftës, e veçmas ditës kur fshati Carrabreg i Epërm u sulmua nga forcat serbe më 29 maj të vitit 98.

“Për të nderuar rolin dhe sakrificat e grave në luftë ne kemi marrë mbështetjen e fshatit që të ndërtojmë një memorial afër lapidarit të dëshmorëve, ku tash ndodhet trafostacioni i vjetër i rrymës, që është premtuar të largohet nga komuna e Deçanit sa më parë”, thuhet në njoftimin e Loshajt.

Teksa ato diskutonin për aspektin vizual të memorialit, ide të ndryshme iu vinin në kokë sepse gruaja kishte një rol dhe paraqitje shumëdimensionale në këtë sferë. Nënat me fëmijë në krahë, duart e grave të mbledhura dhe drejtuar kah qielli, duke mbajtur një pëllumb të lirisë, pllaka të një pas njëshme me mbishkrime, shtatore e trupit të gruas që përfundon në lule e elemente të traditave të Dukagjinit, janë disa nga idetë e tyre.

“Në këto biseda u kuptua se gratë e kanë përjetuar shumë dhimbshëm luftën dhe kanë pas role kyçe por fatkeqësisht roli dhe përvojat e tyre nuk janë të përfshira në narrativen e tanishme të luftës që tregohet për fshatin tonë apo gjithë Kosovën”, thuhet tutje në njoftimin e Shpresa Loshajt.

Ky memorial i cili pritet të ndërtohet, për organizatoret mbetet shpresë që ky shembull të ndiqet edhe nga të tjerët. / KultPlus.com

Të ngjajshme