Në Panairin e Ulqinit pritet të mblidhen botues nga hapësira mbarëshqiptare

12 Korrik, 2019 - 9:00 pm

Për 19 vite me radhë në Ulqin organizohet Panairi i Librit. Botues nga hapësira mbarëshqiptare do të jenë të pranishëm gjatë 5 ditëve të panairit, nga data 26 deri në 31 korrik.

Organizatorja e këtij eventi, drejtoresha e përgjithshme e botimeve “Toena”, Irena Toçe gjatë konferencës për mediet në Bibliotekën e Muzeut Historik tha sot se si risi shënon ndarjen e dy çmimeve “ Liburnia” dhe “Dega e ullirit”.

“Këto dy çmime letrare që kemi themeluar sivjet janë risi. Njërin e kemi pagëzuar ‘Liburnia’ dhe do të shkojë për prozatorin më të mirë. Liburnia është anija që ndodhet edhe në siglën e qytetit të Ulqinit, ndërsa çmimin që do të jepet për letërsinë për fëmijë e kemi pagëzuar me emrin “Dega e Ullirit”. Edhe dega e ullirit ndodhet në siglën e qytetit të Ulqinit dhe të dyja krijojnë një simbolikë të rëndësishme që e lidhin me panairin e librit të Ulqinit, me Ulqinin vetë, me botën e fëmijëve dhe me letërsinë”, tha Toçe.

Duke u konsideruar si aktivitetin më të rëndësishëm kulturor gjatë verës në Ulqin, Toçe tha se panairi merr rëndësi rajonale.

“Përveç botuesve tanë, ka edhe shumë botues që vijnë nga Maqedonia e Veriut, kryesisht shqiptarë. Ka nga Bosnja që prezantojnë librin e tyre në gjuhën e tyre, botues nga Kosova dhe Mali i Zi. Hapësira është një element i rëndësishëm pasi panairi bëhet një panair i rëndësishëm rajonal.

Krahas prezantimit të titujve të rinj të letërsisë shqipe dhe asaj të përkthyer e cila dominon stendat, nuk do të mungojnë edhe takimet me autorë. I ftuar special do të jetë shkrimtari Fatos Kongoli për të prezantuar romanin e tij të fundit “Gënjeshtarë të vegjël” si dhe për të komunikuar me publikun.

Paniri i Ulqinit 2019 mbahet nga data 26 deri në 31 korrik ku komuna e Ulqinit një vend të veçantë në sezonin turistik i dedikon edhe ofrimit të turizmit kulturor/ /ATSH/ KultPlus.com

Të ngjajshme