Në Prishtinë shkatërrohen, në Britani ka minibiblioteka edhe në oborret e shtëpive

13 Shkurt, 2021 - 1:09 pm

Përderisa minibibliotekat në Prishtinë dëmtohen e shkatërrohen, këto objekte trajtohen krejt ndryshe në Britaninë e Madhe. Një vajzë e dhënë pas librave madje e ka vendosur një të tillë edhe në oborrin e shtëpisë.

Olivia Clements, 23 vjeçe, e vendosi në qoshin e oborrit minibibliotekën e ndërtuar vetë dhe të bërë nga dërrasat për ta ndihmuar komunitetin në Bristol gjatë ditëve të vështira të pandemisë, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.

Ajo gjeti një vitrinë të vjetër në skaj të rrugës dhe e rinovoi atë, duke e quajtur kutinë e gjelbër “Libraria e vogël”. Më pas, Olivia e mbushi vitrinën me libra dhe i inkurajoi të tjerët që të shkëmbenin libra.

Si duket, disa librashitës e xhelozuan idenë e saj, sepse ajo mori ca komente negative në rrjetet sociale. Dikush tha se librat e vendosura në këtë vitrinë mund ta përhapin koronavirusin, ndërsa një tjetër tha se ky objekt nuk i zëvendëson dijen dhe ndihmën që ua ofrojnë njerëzve librashitësit.

Një burrë u ankua se shumë librashitës kanë mbetur pa punë si rezultat i ideve si të Olivias.

Ajo u habit nga komentet negative. “Është shumë çudi se si diçka kaq e vogël shndërrohet në diçka shumë të keqe. E publikova postimin dhe në fund të ditës ishte postimi më i suksesshëm. E bëra me qëllim të mirë. Nëse njerëzit nuk duan ta cilësojnë si vitrinë për shkëmbimin e librave por librari, për mua është në rregull”, tha Olivia.

Ajo shtoi se është e vetëdijshme për ndikimin negativ që ka pasur pandemia e koronavirusit në librari, por nuk ka pasur për qëllim që t’i dëmtojë ato./gazetaexprees/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme