займ на карту онлайн потребительский кредит

Në shesh vendosen 120 karroca me çanta, bëhet thirrje për përfshirje të fëmijëve me aftësi të kufizuara

18 Maj, 2020 - 11:22 am

Gjersa gradualisht po i kthehemi normalitetit pas gjendjes së shkaktuar nga COVID-19, zyra e UNICEF-it në Kosovë po bën thirrje për vëmendje më të madhe për mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në mënyrë që ata të mos lihen në karantinë për pjesën tjetër të jetës së tyre.

Instalacioni i cili do të zgjasë nga data 17 deri më 25 maj është thirrje që u bëhet vendimmarrësve, shoqërisë civile, mediave dhe sektorit privat për përfshirje më të madhe të fëmijëve që jetojnë me aftësi të kufizuara.

Murat Sahin, Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë thekson se “sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, të gjithë fëmijët, pa dallim, kanë të drejta të barabarta. Na përket neve që t’i ndihmojmë ata që ta arrijnë potencialin e tyre të plotë. Është detyrimi ynë moral, ligjor dhe njerëzor.

Izolimi dhe distancimi shoqëror që të gjithë prej nesh po e përjetojnë në kohën e pandemisë së COVID-19 është diçka që fëmijët me aftësi të kufizuara e përjetojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Përderisa Kosova gradualisht i kthehet normalitetit pas situatës së shkaktuar nga COVID-19, është e rëndësishme që shoqëria të ndihmojë që të përfundojë izolimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara njëherë e përgjithmonë. Një normalitet i përshtatshëm, i ri dhe më i mirë për një shoqëri gjithëpërfshirëse për të gjithë.”

Zyra e UNICEF-it në Kosovë përmes këtij instalacioni po kërkon:

  • Përshtatjen e praktikave mësimore gjithëpërfshirëse për të përmbushur nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara
  • Caktimin e një numri adekuat të asistentëve të mësimdhënësve për fëmijët me aftësi të kufizuara në nivelin parashkollor dhe në shkolla.
  • Ndarjen e një buxheti të mjaftueshëm për transport falas të fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në objektet parashkollore dhe në shkolla.
  • Ofrimin e pajisjeve teknologjike dhe ndihmëse për të gjithë fëmijët në nivel parashkollorë dhe shkollor.
  • Përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të familjeve të tyre në aktivitete shoqërimi dhe aktivitete sportive.
  • Qasje për të gjithë në hapësira publike, shkolla dhe biznese.

UNICEF-i do të vazhdojë të mbështesë institucionet dhe komunitetet për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me personat dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, duke përfshirë këtu përmirësimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve me bazë në komunitet, stimujve dhe ndihmave sociale në para të gatshme në mënyrë që të drejtat e tyre të përmbushen.

Karrocat janë siguruar nga organizata HANDIKOS në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme