5 Shtator, 2025 - 9:00 am
5 gushti shënon ditëlindjen e Neil Armstrong, astronautit amerikan që u bë simbol i epokës hapësinore dhe i guximit njerëzor. I lindur më 1930 në Wapakoneta, Ohio, Armstrong do të mbetej përgjithmonë në histori si njeriu i parë që vendosi këmbën në Hënë, më 20 korrik 1969.
I apasionuar pas aeronautikës që në fëmijëri, ai nisi fluturimet me avion në moshë shumë të hershme dhe vazhdoi karrierën si pilot testues në Forcat Ajrore dhe NASA. Përvoja e tij, qetësia në situata të rrezikshme dhe profesionalizmi e bënë zgjedhjen e duhur për misionin legjendar “Apollo 11”, transmeton KultPlus.
Fjalët e tij në momentin kur preku sipërfaqen e Hënës, “Një hap i vogël për njeriun, një hap gjigant për njerëzimin”, u bënë simbol i arritjes së gjithë njerëzimit dhe frymëzim për breza të tërë. Përveç misionit të tij historik, Armstrong mbeti një figurë modeste, duke zgjedhur jetën akademike dhe punën me studentët pas karrierës në NASA.
Ditëlindja e tij është një moment për të kujtuar jo vetëm një njeri, por një epokë të tërë, kur ëndrrat më të guximshme të njerëzimit morën formë. Neil Armstrong mbetet shembulli i një pionieri që provoi se kufijtë ekzistojnë vetëm për t’u tejkaluar./KultPlus.com