23 Korrik, 2025 - 11:00 am
Sonte, më 23 korrik nga ora 20:30, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ngrihet sipari i edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend dhe rajon. Nën moton inspiruese “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, festivali hapet me një koncert të veçantë, dedikuar ikonës së pavdekshme të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus
Publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje të jashtëzakonshme artistike ku emocionet dhe nderimi ndërthuren në mënyrë të paharrueshme. Në skenë do të ngjiten emra të mëdhenj të muzikës operistike dhe moderne, përfshirë mezzosopranon e njohur egjiptiane Gala El Hadidi, e cila për herë të parë do të këndojë në gjuhën shqipe, një moment historik dhe emocionues për artdashësit vendas. Ajo do të shoqërohet nga artistë të afirmuar shqiptarë si Edona Reshitaj, Adhurim Grezda dhe A R B Ë R E SH Ë, nën përcjelljen muzikore të Gent Rushi Group.
Ky koncert i parë do të sjellë në skenë interpretimet e disa prej këngëve më të dashura të Nexhmije Pagarushës, duke ringjallur frymën, pasionin dhe artin e saj përmes një qasjeje të re muzikore që bashkon traditën me modernitetin.
Pas Prishtinës, festivali do të vazhdojë më 24 korrik në Pejë dhe më 25 korrik në Mitrovicë, duke përhapur emocionin e operës dhe muzikës shqiptare në qytete të ndryshme të Kosovës.
Edicioni i këtij viti do të zgjasë deri më 2 gusht, kur do të përmbyllet me një natë të madhe gala “Rame Lahaj & Friends – Gala Night”, një mbrëmje kulmore që premton interpretim të nivelit ndërkombëtar dhe një përvojë muzikore që nuk duhet humbur.
Prishtinë – Pejë – Mitrovicë | 23 korrik – 2 gusht
Opera shqiptare jeton, frymon dhe ndërton ura pa kufij, pa mure./KultPlus.com