Nënshkruesi i deklaratës së pavarësisë Ferit Vokopola, i mohuar nga diktatura

27 Nëntor, 2022 - 4:30 pm

Përkujtohet firmëtari i mohuar dhe i persekutuar nga diktatura, Ferit Vokopola.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” sjellë në vëmendje një nga personalitete e periudhës së pavarësisë së vendit, i cili ishte delegat i Lushnjës.

Ferit Vokopola lindi në Vokopolë të Beratit. Studioi në Stamboll për drejtësi dhe ekonomi. Në Kuvendin e Vlorës, Ferit Vokopola u zgjodh si delegat i Lushnjës dhe ishte më i riu nga të gjithë pjesëmarrësit.  Nënshkrues i Akti të Shpalljes së Pavarësisë. U caktua në administratën e qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit, si dhe në atë të Turhan pashë Përmetit gjatë qeverisjes së Princ Vidit. Gjithashtu, një ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës më 1920.

Në vitet e mëvonshme, ka mbajtur poste të rëndësishme si ministër i Bujqësisë dhe deputet në disa legjislatura. Si ligjvënës aktiv dhe me njohje të thella në fushën e drejtësisë, Ferit Vokopola ishte një nga hartuesit e Kodit Civil të viteve 30.

Në fushën intelektuale, Ferit Vokopola spikat si publicist, teolog, eseist, përkthyes i teksteve në gjuhët orientale. Ferit Vokopola mban meritën e përkthimit për herë të parë të Kuranit në shqip. Ndër të tjera, Ferit Vokopola luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e komunitet mysliman dhe tarikateve të tjera në Shqipëri, ngritjen e Medresesë së Tiranës, etj.

Ndonëse nuk mori pjesë në zhvillimet politike gjatë pushtimit të Shqipërisë, duke iu përkushtuar aktivitetit fetar, Ferit Vokopola u persekutua nga komunistët e ardhur në pushtet. U arrestua më 20.2.1945 dhe u dënua nga Gjykata Ushtarake në Tiranë, me vendimin nr.166, datë 11.8.1945, ku parashikohej heqja e lirisë me 2 vjet.  U lirua më 19 shtator 1947.

Edhe pse i persekutuar, falë njohurive të spikatura në gjuhët orientale, ai iu ofrua Insitutit të Historisë në përkthimin e shumë dokumentave në osmanisht./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme