Nënshkruhet marrëveshja “EU4Culture”, BE-ja dhuron 40 milion euro për trashëgiminë kulturore shqiptare

29 Shtator, 2020 - 11:26 pm

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca së bashku me drejtoreshën e UNOPS-it Freya Von groote, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe Ministren e Kulturës Elva Margariti kanë nënshkruar në ditën e sotme marrëveshjen “EU4CULTURE” e cila do të dedikojë plot 40 milionë euro në rigjallërimin e qendrave dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

“Programi synon të arrijë rigjallërimin e tyre, duke kontribuar në rimëkëmbjen socio-ekonomike të Shqipërisë nëpërmjet përmirësimit të potencialit të Shqipërisë për turizmin.” – shprehen në deklaratën e tyre delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Programi do të përfshijë muze, si Muzeu Arkeologjik dhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë. Do të përfshijë gjithashtu qendra të rëndësishme si Amfiteatri i Durrësit, si dhe kështjella e monumente fetare.

Komunitetet e tri bashkive – Tiranë, Durrës dhe Krujë – ndër destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë, do të përfitojnë nga fondet e BE-së bazuar në nevojat e identifikuara nga vlerësimi i nevojave pas fatkeqësisë.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Soreca u shpreh se ky është programi më i madh i ndërtuar ndonjëherë nga BE për të mbështetur strategjinë

“EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuara ndonjëherë nga Bashkimi Evropian, për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira. Ndihma për të ruajtur trashëgiminë e Shqipërisë është një shans ekonomik, një përgjegjësi e përbashkët, por edhe një detyrë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe atyre të ardhshëm të evropianëve”.

Programi “EU4Culture” do të zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS)./ scan/ KultPlus.com

Të ngjajshme