Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve

25 Gusht, 2020 - 9:00 pm

Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherit Koordinatori Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Florian Dushi, sot ka marr pjesë në një ceremoni zyrtare të organizuar nga OSBE me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Dushi gjatë kësaj ceremonie theksoi se ky nënshkrim, përveç që do të ndihmojë qendrën për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, njëherit do të obligojë akterët relevant që të merren me këtë fenomen, përfshirë edhe institucionet që zbatojnë ligjet dhe politikat për parandalimin e dhunës në familje.

Në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dushi i ka njoftuar të pranishmit me hapat konkret të cilët janë ndërmarr nga Ministria e Drejtësisë në krijimin e mekanizmave adekuat në parandalimin e dhunës në familje, si nevojë për zbatimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2010-2020, i cili i trajton shërbimet për viktimat dhe ndjekjen penale të kryesve të krimit.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë implementimit të strategjisë së kaluar, ndër to edhe çështja e financimit të qëndrueshëm për strehimoret, rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave, trajtimi i kryesve, strehimi i nënave me fëmijë dhe harmonizimi i legjislacionit nacional me dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas Dushit, strategjia e re do të adresojë rritjen e shërbimeve të rehabilitimit të viktimave të dhunës në familje, duke bërë ndarjen e fondeve për shërbime integruese afatgjata në nivelin qendror dhe lokal. Po ashtu, theksoi se do të bëhet themelimi i institucioneve dhe këshillimoreve me programe obligative për kryesit e dhunës.  Në këtë strategji do të parashihet që në strehimore të ketë edhe një aneks për strehimin e nënave me fëmijë djem mbi 12 vjeç.

Të ngjajshme