Nesër fillon Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

22 Gusht, 2021 - 7:32 pm

Nesër nis organizimi i një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore në fushën e albanologjisë, pikërisht Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i njohur në fillim si Seminari i Kulturës Shqiptare për të Huaj. Seminari është një takim i përvitshëm dhe i rëndësishëm shkencor e profesional nga fusha e shkencave albanologjike, i cili që nga viti 1974 tradicionalisht organizohet në Prishtinë.

Qëllimi primar i organizimit të tij fillimisht ishte ofrimi i ndihmës për studentët dhe studiuesit e huaj që interesohen për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare si dhe për shkencat albanologjike. Seminari ka një karakter shumë – dimensional dhe multi-disiplinar.

Me kalimin e kohës, kjo ngjarje është shndërruar në një shkollë të llojit të vet nga fushat e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare si dhe të albanologjisë në përgjithësi.Këtë vit seminari do të mbahet nga data 23 gusht deri me 3 shtator 2021 dhe pjesë e tij do të jenë studiues të ndryshëm shqiptarë, ku do të trajtojnë një sërë tematikash. Me datën 1 shtator është parashikuar edhe mbajtja e Mbrëmjes Arbëreshe, në të cilën do të promovohet vepra e studiueses Maksimiljana Barančić, në Zarë të Kroacisë, “Fjalori Kroatisht-Arbënisht të shoqëruar me gramatikë”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme