Netët Korçare të Poezisë, festival ku takohen shpirtrat krijues

26 Maj, 2025 - 12:38 pm

Fundjavën që lamë pas Korça mblodhi poetë nga e gjithë bota për edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”.

Në këtë festival, ku interpretohen vepra të ndryshme të poezisë, simbolikë e veçantë është edhe mbjellja e një peme në Parkun e Poetëve, në nderim të trashëgimisë së fjalës së shkruar.

Poeti Laureat i festivalit u shpall Sadik Bejko, i cili mbolli pemën tradicionale në Parkun e Poezisë. Çmimi Kurora e Poezisë shkoi për poeten Maklena Nika. Çmimi Poezia më e Bukur iu dha poetit Tsvika Nir (Izrael). Çmimi “Dritëro Agolli” iu dha poetit Dinos Kubatis (Greqi). Çmimi “Asdreni” shkoi për poetin Zyhdi Dervishi dhe Çmimi Special shkoi për poeten Rakela Zoga me motivacionin: “Për këndvështrimin origjinal, për përcjelljen e vlerave universale përmes kumtit poetik.

Netët Korçare të Poezisë konsiderohen si një festë e fjalës së bukur. Në këtë edicion, morën pjesë 34 poetë nga Italia, Franca, Izraeli, Monako, Greqia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët sollën me vete jo vetëm vargje të frymëzuara, por edhe tingujt dhe ndjesitë e vendeve të tyre.

Korça, edhe një herë, u shndërrua në një skenë të hapur, në një udhëtim shpirtëror që bashkon nëpërmjet gjuhës universale të artit. Disa nga pjesëmarrësit ishin: Angela Valenti Durazzo, Bardhosh Gaçe, Pierre Ech-Ardour, Helena Halilaj, Albin Lushi, Maklena Nika, Sadik Bejko, Raimonda Moisiu – Sade, Tsvika Nir, Entela Kasi, Vlora Konushevci etj.

Netët Korçare të Poezisë u zhvillua me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, bibliotekës publike “Thimi Mitko” Korçë, Bashkisë Korçë dhe PEN Albania.

“Le të jetë ky edicion një tjetër dëshmi se poezia nuk është e mbyllur në libra, ajo jeton në rrugë, në zëra, në takime si ky. Dhe mbi të gjitha, ajo jeton brenda nesh, sa herë që zgjedhim të dëgjojmë me zemër”, u shpreh në fjalën e saj drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme