12 Maj, 2025 - 3:33 pm
Qendra për Hapje dhe Dialog do të sjellë së shpejti në Tiranë një nga ekspozitat më të rëndësishme të çelura ndonjëherë në kryeqytet.
Ekspozita e titulluar “Nga bohemizmi te përjetësia”, do të ekspozojë veprat e disa prej artistëve më të famshëm të artit pamor ndërkombëtar si: Amedeo Modigliani, Henri Matisse, Edgar Degas, Tamara de Lempicka, Kees van Dongen etj.
Ekspozita vjen në bashkëpunim me Fondacionin MTA dhe Ambasadën e Izraelit.
Koleksioni që do të paraqitet në COD do të ketë vepra nga Arti Modern, Fovizmi, Art Deco, Avant-Garde etj., pa të cilat do të ishte e pamundur të imagjinohej historia e artit botëror.
Holandezi Kees van Dongen dhe italiani Amedeo Modigliani ishin të lidhur ngushtë me Francën dhe përfaqësohen me kryeveprat e tyre: Van Dongen me një portret spektakolar të Marcelle Léoni, dhe Modigliani me portretin e suedezes së re, Annie Bjarne.
Skulpturat zënë gjithashtu një vend të veçantë në koleksion, duke filluar me bronzin e bukur “Vallëzuesja e vogël katërmbëdhjetëvjeçare”, e veshur me tutu prej pëlhure, nga Edgar Degas, i cili krijoi shumë kryevepra me temën e baletit.
Një eksperiment skulpturor i guximshëm nga Henri Matisse, Aurora prej allçije të lyer me bronz, është një vepër e rëndësishme në koleksion.
Diversiteti i koleksionit pasurohet nga grupi i shquar i artistëve përparimtarë hungarezë, përfshirë Bela Kadar, Lajos Tihani, Csaky dhe Hugo Scheiber. Edhe përfaqësuesit e avangardës gjermane janë të shumtë: Hanns Bolz, Henrich Nauen, Max Ackermann, Friedrich Gotsch, Boris Kleint, Oscar Moll dhe e famshmja Gabrielle Münter./atsh/KultPlus.com