Nga Filharmonia e Vjenës vjen në Prishtinë, Eno Peçi me premierë në Baletin Kombëtar të Kosovës

2 Dhjetor, 2019 - 2:27 pm

Qendrim Badalli

 “Trëndafilat e jugut” ishte valsi më i gjatë që u luajt nga kërcimtarët e Baletit Shtetëror të Vjenës, në ambientet magjike të vilave perandorake, ku në rolin kryesor interpretoi balerini i njohur shqiptar, Eno Peçi. Kjo ishte hera e parë që një balerin shqiptar u ngjit në këtë skenë ku me paraqitjen e tij mrekulloi publikun.

Por, as ky sukses dhe asnjë tjetër nuk e ndanë nga vendlindja ku ai kthehet herë pas herë për të realizuar ndonjë shfaqje. Por, Kosova deri më tani për të ishte një destinacion i paprekur. Por jo më, ai erdhi për të realizuar një shfaqje me Trupën e Baletit të Kosovës dhe me një tematikë shumë të ndjeshme, shkruan KultPlus.

Kur ekipi i KultPlus arriti në Teatrin Kombëtar të Kosovës, provat gjenerale të shfaqjes “Exil” kishin filluar dhe skenën e kishin zënë balerinët të cilët dukeshin të relaksuar. Aty ishte edhe koreografi i mirënjohur, Eno Peçi, i cili po jepte udhëzimet e fundit për balerinët. Kështu, të enjten në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premiera e shfaqjes “Exil”, shkruan KultPlus.com

Tema e kësaj shfaqjeje ka të bëjë me ikjen e njerëzve nga Shqipëria në fundvitet e nëntëdhjeta, specifikisht ka të bëjë me një periudhë të konsideruar të errët për Shqipërinë, pra për vitin 97-të kur vet prindërit kanë dashur t’i largojnë fëmijët e tyre nga Shqipëria për një jetë më të mirë, pavarësisht mos dëshirës së këtyre të fundit.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Eno Peçi ka dhënë përshtypjet e tij rreth shumë çështjeve që lidhen me shfaqjen dhe jo vetëm.

Në lidhje me ecurinë e provave të deritanishme për shfaqjen “Exil”, Peçi është shprehur shumë i kënaqur.

”Kanë shkuar goxha mire, çdo gjë po ecën në procesin siç duhet të eci dhe jemi me kohë shumë mirë. Kemi filluar gati nga e diela me provat gjenerale. Aq më shpesh i bëjnë balerinët lëvizjet aq më mirë edhe mësohen dhe i kuptojnë edhe gabimet që bëjnë. Është në rrjedhën e duhur dhe çdo gjë po ecën mirë”.

Peçi ka shprehur edhe përshtypjet e tij rreth Prishtinës, meqë është hera e parë që e viziton si dhe rreth trupës së baletit, dhe për të dyja këto ka zgjedhur fjalë të mira.


“Është hera e parë  që kam ardhur në Prishtinë, në Kosovë, sepse nuk kam qenë ndonjëherë, dhe është po ashtu edhe hera e parë që bashkëpunoj me Trupën e Baletit të Kosovës. Nuk e kam ditur çfarë do të më priste, një energji e qytetit që është shumë e qetë, shumë kthjelluese, dhe më ka pëlqyer shumë, plus edhe energjia e teatrit e artistëve që janë këtu, janë shumë të dëgjuar, shumë të përkushtuar dhe mund të them se kemi punuar shumë. Kemi dalë në mëngjes dhe jemi kthyer në natë”.

Koreografi i njohur, nuk sheh ndonjë dallim mes skenave teatrale në kuptimin e zakonshëm që e njohim, teksa përkushtimin për punën e ka vërejtur si veçanti të Baletit të Kosovës. Ai ka folur edhe për rëndësinë e punës me dashuri.


“Në çdo teatër që shkon kanë edhe ato vetitë e tyre. Nuk mund të bëhet ndonjë krahasim, të themi se ata janë më keq apo më mirë, por krahasimi që mua më befasoi është përkushtimi që artistët mundohen t’i bëjnë gjërat ashtu si dua unë dhe rezultati është shumë i shpejtë, në atë kohë rekorde që ne kemi. Për mua gjëja më e rëndësishme është të duash të bësh diçka dhe dashuria që ke për kërcimin, nëse këto gjëra ekzistojnë është në dorën time që balerini të shkojë në procesin e duhur dhe rezultatit që unë kërkoj”.

Eno Peçi konsiderohet edhe si ambasador i vendit, por për të kjo varet ekskluzivisht nga dashuria që ke për punën dhe nga puna që e bënë me dashuri.

”Sigurisht është një përgjegjësi, sepse nëse unë si artist dhe krijues mundohem ta bëjë punën time aq më mirë, pra nëse unë punën time e dua shumë dhe nëse e bëj me qejf, pra nuk e bëj se duhet ta bëj, dhe nëse kjo gjë funksionon dhe ecën më tej, unë në të njëjtën kohë jam edhe një ambasador i mirë për vendin tim, çdo gjë është e lidhur”.

Duke komentuar solidaritetin që e kemi parë ditëve të fundit mes shqiptarëve këndej dhe andej kufirit ai ka thënë: “Të thuash faleminderit është e paktë”, teksa tutje ka thënë se bashkëpunimi mes shqiptarëve nuk është çështje mendimi, por diçka e natyrshme.

“Të thuash faleminderit është e paktë.  Është një gjë shumë e madhe, shqiptarët e Kosovës kanë qenë në krah të shqiptarëve, si të themi vëllai i madh me vëllain e vogël, janë dy shtete që jemi të gjithë shqiptarë. Në të njëjtën kohë sa jam në Prishtinë, nuk shoh dallime mes nesh. Kjo që e bëjmë nuk është diçka që e mendojmë ta bëjmë apo jo, është diçka e natyrshme dhe kjo mua si shqiptar që jam nga Shqipëria më befason. Ky është një solidaritet dhe një gjë e jashtëzakonshme”.

Premiera e shfaqjes “Exil” vjen këtë të enjte në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe ekipi i KultPlus-it do të jetë aty për ta përcjellë shfaqjen dhe për ta mbajtur të informuar lexuesin. /KultPlus.com






Të ngjajshme