Nga Gucci tek Diori i rremë: Shqipëria u thotë stop produkteve fallco

23 Gusht, 2025 - 5:00 pm

Për vite me radhë, konsumatorët shqiptarë janë mashtruar nga produkte të prezantuara si “luksoze”, por që në realitet ishin thjesht imitime. Çanta, këpucë e rroba me logot e Gucci-t, Louis Vuitton-it apo Dior-it, janë shitur me çmime “të leverdishme”, por pa garanci dhe pa asnjë vlerë të vërtetë. Kjo ka kthyer tregun shqiptar, sidomos atë online, në një hapësirë të mbushur me reklama dhe produkte të falsifikuara.

Më 16 gusht hyn në fuqi ligji i ri për markat tregtare, i cili synon t’i japë fund këtij fenomeni. Sipas tij, çdo produkt që shkel të drejtat e pronësisë intelektuale do të ndalohet në dogana, duke parandaluar importin dhe eksportin e mallrave të falsifikuara.

Rregullat e reja prekin edhe udhëtarët: produktet e blera jashtë vendit që rezultojnë imitime të markave të njohura do të konfiskohen në pikat doganore. Në këtë mënyrë, synohet të garantohet që vetëm mallrat origjinale dhe brenda kufijve ligjorë të futen në Shqipëri.

Një tjetër risi ka të bëjë me mbrojtjen e markave ndërkombëtare. Pronari i një marke jo vetëm që mund të ngrejë padi kundër atyre që shesin imitime, por edhe të kërkojë dëmshpërblim. Neni 87 i ligjit parashikon qartë sanksione për përdorim të paautorizuar të markave dhe mundësi që pronarët të kërkojnë nisjen e hetimeve zyrtare nga Drejtoria e Pronësisë Industriale.

Vetëm në vitin 2024, Dogana shqiptare bllokoi mbi 40 mijë produkte të falsifikuara, shifër që tregon vetëm “majën e ajsbergut”. Pasojat e këtij tregu janë të mëdha: biznese të ndershme pësojnë humbje, ndërsa konsumatorët përballen me produkte të rrezikshme për shëndetin, veçanërisht në fushën e kozmetikës dhe këpucëve me materiale toksike.

Një Shqipëri pa mallra “fake” do të thotë një treg më transparent, më i sigurt dhe më i drejtë për konsumatorët. Por sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjit: pa një kontroll të rreptë nga doganat, policia dhe Drejtoria e Pronësisë Industriale, rrugët alternative të kontrabandës nuk përjashtohen.

Megjithatë, hyrja në fuqi e këtij ligji përbën një goditje të fortë ndaj atyre që kanë përfituar për vite nga mashtrimi me logot e markave të njohura dhe një hap të rëndësishëm drejt pastrimit të tregut shqiptar./KultPlus.com

Të ngjajshme