Nga Juniku në Gjermani, Shqipërim Kraki patentoi inovacionin e tij në botën e aviacionit (VIDEO)

31 Mars, 2021 - 4:27 pm

Suada Qorraj

Sukseset jo çdo herë kufizohen brenda vendlindjes, ndonjëherë ato lindin dhe rriten jashtë saj, përmes rrugëve përplot me sfida. E tillë është dhe historia e Shqipërim Krakit, të cilin jeta tash e disa vite e ka lidhur ngushtë me botën e aviacionit, lidhje kjo që i ka mundësuar atij të lansoj produktet dhe biznesin e tij në Gjermani, shkruan KultPlus.

“Fillimi nuk ka qenë i lehtë as për mua, por fakti që unë i kisha dy vëllezër që jetonin këtu prej vitesh, ka ndikuar që të integrohem më shpejt. Pastaj nga sfida në sfidë, jeta morri drejtim dinamik, fiks ashtu siç e kisha shpresuar”, filloj rrëfimin e tij Kraki në intervistën e dhënë për KultPlus.

Shqipërim Kraki tashmë ka patentuar dhe regjistruar në Gjermani produktin e tij origjinal, të punuar me dorë, Torlley-t për shërbimin e pijeve në avion të cilat i ka emëruar ‘Lift Bar’ ndërkaq kompaninë e tij e ka emëruar ‘Flying Mode’. Tashmë janë lansuar tre lloje të Lift Barëve; Lift Bar Café, Lift Bar Cooling dhe Lift Bar Whiskey.

Për Shqipërim Krakin rruga deri tek arritja e qëllimit të tij ka qenë mjaft komplekse. Pas dhjetë viteve pune në Gjermani, ai filloj që të realizoj ëndrrën e tij që kishte lindur përgjatë periudhës kur bota e aviacionit u bë një me botën e tij.

Teksa flet se si ka lindur ideja e një produkti të tillë, Kraki pohon se puna e gjatë në botën e aviacionit kishte krijuar tek ai përshtypjen se gjërat mund të ndryshohen deri në perfeksion.

“Inovacioni dhe idetë e reja më kanë tërhequr gjithmonë. Duke punuar me vite në dhe për botën e aviacionit, gjithnjë e kisha përshtypjen se gjërat mund të perfeksionohen dhe t’u ndërrohet përdorimi apo destinimi. Sot në çdo vend privat apo profesional ka nevojë për hapësira relaksuese. Në shtëpi apo punë kemi shërbyes që janë kryesisht automatik, të palëvizshëm dhe jo multifunksional. Për anën elegante as që bëhet fjalë – zor të ketë stil një frigorifer gjigant apo një distributor kafesh. Duke i pas këto elemente parasysh, jam bindur që edhe pijet e freskëta por edhe kafet e ndryshme mund të shërbehen në mënyrë elegante, praktike dhe pa zënë shumë vend”, shprehet ai.

Tutje Kraki rrëfen se produktet e tij, por dhe kompaninë i ka emëruar si kujtesë për botën e fluturimit, prej nga vjen ai dhe baza mbi të cilën ndërtohet produkti. Kraki ‘Lift Bar’ e quan një shërbyes elegant dhe preciz.

“Emri i kompanisë e rikujton botën e fluturimit, nga vij unë dhe nga vjen baza e produktit. Dhe duke qenë se produktet tona do përdoren në tokë, atëherë zgjodhëm ta quajmë Flying Mode, në kuptimin, në formë apo mënyrë fluturimi. Do të thotë shërbehet gati si në fluturim, me shërbyesin me rrota. Emri i produkteve LiftBar është boshti i idesë inovative sepse i gjithë koncepti sillet rreth liftit mekanik që i nxjerr pijet jashtë në mënyrë elegante dhe precizion milimetrik. Shërbyesit tanë janë pra si mini bar me lift – Lift Bar”, deklaroi Shqipërimi për KultPlus.

I pyetur se sa e vështirë ka qenë për të që të depërtoj në një treg gjerman, Kraki pohon se ndonëse është një treg mikpritës për të depërtuar dhe për të arritur sukses duhet përkushtim i madh, por mbi të gjitha inovacion.

“Të depërtosh në një vend të huaj nuk është e lehtë, por Gjermania mbetet megjithatë vend mikpritës për shqiptarët në përgjithësi. Tregu gjerman është solid dhe i organizuar, prandaj për të depërtuar këtu duhet punë e përkushtim, por duhet sidomos inovacion. Produktet tona janë unike si nga koncepti ashtu edhe nga dizajni, kështu që besoj se do të gjejnë hapësire në tregun gjerman e evropian. Sot klientët apo përdoruesit duan gjëra kualitative por edhe unike. Këto veti janë baza e produkteve tona”, shton tutje ai.

Krejt në fund të intervistës Kraki tregon se planet janë që fillimisht të shtrihen në Gjermani me prodhim dhe me shitje, e më pas të kalojnë edhe në tregun evropian. Ai madje thekson se shumë shpejt do të jenë prezent edhe në Kosovë e Shqipëri, duke e konsideruar mundësinë e prodhimit të materialeve dhe aksesorëve në këto dy vende./ KultPlus.com

Të ngjajshme