Nga sot, ndalohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

28 Korrik, 2021 - 10:56 am

Në Bosnje e Hercegovinë, mohimi i gjenocidit dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës ndalohen nga sot, përcjellë KultPlus.

Kjo, pasi plotësimet në Kodin Penal të Bosnjes, që u bënë nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Valentin Inzko, dhe që dënojnë mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, hynë në fuqi.

Një ditë më herët, ato u publikuan në gazetën zyrtare të Bosnjës.

Për shkelësit e Kodit Penal, këto ndryshime parashikojnë tani dënime me burg prej tre muajsh deri në pesë vjet.

Vendimi i Inzkos për plotësimet, i publikuar më 23 korrik, nxiti reagime të ashpra nga Republika Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe në Bosnje.

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili vjen nga ky entitet, paralajmëroi se Bosnja mund të shpërbëhet dhe nisi një peticion për mospranimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Dodik mohoi se në Srebrenicë të Bosnjës ka pasur gjenocid.

Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Përfaqësues të Republika Sërpskës nisën të martën bojkotimin e institucioneve qendrore të Bosnjës, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal. / KultPlus.com

Të ngjajshme