Nga tensionet reale në kiminë e ekranit, marrëdhënia e ndërlikuar mes Sharon Stone dhe Michael Douglas

6 Gusht, 2025 - 4:30 pm

Tensionet reale mes aktorëve në jetën jashtë kamerës shpeshherë mund të jenë burim sfidash gjatë xhirimeve. Por në disa raste, pikërisht ato e bëjnë magjinë e ekranit të funksionojë në mënyrë më të thellë e autentike. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi mes Sharon Stone dhe Michael Douglas gjatë bashkëpunimit të tyre të vitit 1992, “Basic Instinct”.

Në një intervistë Stone rrëfen se marrëdhënia e saj me Douglas ishte e tensionuar qysh përpara se të fillonin xhirimet. Aktori nuk ishte entuziast për të provuar skena me të, duke qenë se ajo ishte një emër i panjohur në atë kohë.
“Ai nuk donte të tregonte të pasmet e tij në ekran me një të panjohur – dhe unë e kuptova këtë,” tha Stone.

Por më shumë sesa mungesa e famës, ajo përmend një incident të mëparshëm mes tyre në Festivalin e Filmit në Kanë, që ndikoi negativisht në marrëdhënien e tyre.
“Ishim një grup njerëzish dhe ai po fliste për dikë dhe fëmijët e tyre. E njihja shumë mirë atë person për të cilin po fliste. Kështu që ndërhyra dhe ai më bërtiti: ‘Çfarë dreqin di ti?’ Ishte një bisedë që kishte të bënte me marrëdhënien baba-bir,” kujton ajo.
Ajo nuk e kaloi pa reagim:
“Tërhoqa karrigen mbrapa dhe i thashë: ‘Hajde të dalim jashtë.’” Jashtë, sipas saj, ajo i sqaroi afërsinë me personin për të cilin po fliste dhe theksoi se e njihte situatën shumë më mirë nga afër.

Ky episod la një shije jo të mirë, dhe më pas, kur emri i saj u përzgjodh për rolin kryesor në “Basic Instinct”, Stone thotë:
“Nuk mendoj se ai donte që unë të isha partnerja e tij në film.”

Por pikërisht kjo dinamikë e brendshme, tensioni i nënkuptuar dhe raporti i ftohtë personal, u kthyen në shtyllë të fuqishme të interpretimit në ekran.
“Tensioni funksionoi në mënyrë të shkëlqyer gjatë xhirimeve,” shpjegon ajo. “Nuk u mërzita kur ai më bërtiti. Ishte diçka që ndihmoi shumë në ndërtimin e dinamikës mes personazheve tanë, sepse Michael ka nerva dhe mua nuk më interesonte fare.”

Kjo distancë dhe energji e ftohtë mes tyre i dha jetë kimisë seksuale dhe tensionit psikologjik që e bëri filmin kaq të veçantë. Personazhet e tyre, Catherine Trammel dhe detektivi Nick Curran, funksionojnë për shkak të mosbesimit të ndërsjellë, dominancës, manipulimit dhe kontrollit emocional. Të gjitha këto elemente, duket se kishin edhe një bazë reale jashtë skenarit.

Me kalimin e kohës, raporti mes tyre u përmirësua. “Përfunduam duke qenë miqtë më të mirë, dhe jemi ende miq edhe sot,” thotë Stone. “E admiroj jashtëzakonisht shumë.”

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Michael Douglas, Allen Barry, tha se aktori “u habit shumë nga fjalët e Sharon”, dhe nuk kujton ndonjë përplasje të tillë mes tyre. Sipas tij, Douglas e parë për herë të parë Stone në provën në ekran që regjistroi Paul Verhoeven dhe menjëherë tha: “Ky është ai personazhi.” Barry gjithashtu thekson se takimi i tyre në Kanë ndodhi më vonë, në vitin 1992, gjatë promovimit të filmit, kur ata tashmë ishin miq.

Pavarësisht se versionet e kujtimeve mund të dallojnë, një gjë mbetet e qartë: tensioni i vërtetë jashtë kamerave ndihmoi në formësimin e një prej marrëdhënieve më komplekse dhe magjepsëse në historinë e kinemasë. Ai nuk i pengoi, por përkundrazi, e thelloi interpretimin e tyre dhe e bëri “Basic Instinct” një klasik të pavdekshëm./KultPlus.com

Të ngjajshme