Nga Vlora mbrëmë u hap sezoni i ri turistik në Shqipëri

20 Qershor, 2020 - 5:33 pm

Qendrim Badalli

Hotel Regina mbrëmë kishte mbledhur mysafir nga Shqipëria e nga Kosova sepse po e festonte hapjen e njësisë së re të Regina Group. Pikërisht mbrëmë me ceremoninë e inaugurimit ka filluar edhe zyrtarisht sezoni turistik për këtë vit në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Në terasën e hotelit, literalisht me pamje nga deti, u vendosën të gjithë mysafirët e ftuar, pjesë e të cilëve ishin edhe 30 gazetarë nga Kosova, udhëtimi i të cilëve u mundësua nga agjencia e udhëtimit, “Fibula”.

Në një fjalë rasti, Ministri i Turizmi dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, foli për rëndësinë e hotelit teksa tha se për turizmin është vit ‘jashtëzakonisht i vështirë”

“Ekspertët më të mirë të turizmit janë këta djem që kanë arritur ta bëjnë këtë hotel që po e inagurojmë sonte. Po marrim pjesë  në një nga ngjarjet më shpresëdhënëse. Është një vit jashtëzakonisht i vështirë për turizmin dhe inaugurimi i një hoteli i një nga zonat më të madhështore të zonës së Vlorës, është një sinjal i jashtëzakonshëm për entuziazmin që duhet të kemi edhe në fillim të sezonit”.



Tutje, Klosi, ftoj shqiptarët ta mbështesin turizmin e brendshëm.

“Edhe në kushtet e pandemisë, shpresoj shumë që shqiptarët ta mbështesin turizmin e brendshëm, të vazhdojnë turizmin brenda trojeve tona

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në një fjalë rasti tha se Shqipëria është vendi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.

“Prezantuesja që foli më parë tha që për shqiptarët që jetojnë matanë bjeshkëve, (referuar Kosovës) ky vendi këtu duket si shtëpia e dytë, në fakt mua më duket sikur ky vend është shtëpia e përbashkët e të gjithëve”.


Tutje, ai u shpreh i lumtur për njësinë e re që u hap mbrëmë.

“Si kryetar i Bashkisë së Vlorës, jam sonte shumë i lumtur që në qytetin tonë, në Vlorën e mrekullueshme, shtohet një njësi tjetër hotelerie”.

Përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Shqipëri, Blerim Xhemaili, në një fjalë rasti tha se shqiptarët e kosovës sërisht do të jenë në  bregdetin shqiptar për pushime.

“Është kënaqësi që sonte të jem këtu mes jush me hapjen e një hoteli kaq të bukur dhe impozant në Vlorë. Pa dyshim se shqiptarët e Kosovës tashmë do ta kenë edhe një vend tjetër ku do të vinë. Shpresoj dhe ju siguroj se kosovarët do të jenë këtu në Vlorë e në Shqipëri”.



Mbrëmja vazhdoi me një party dhe koktej rasti të organizuar tashmë në hotelin e ri ku të ftuarit nga Kosova dhe nikoqirët nga Shqipëri po vallëzonin e festonin së bashku.

Edhe sot, grupi i gazetarëve nga Kosova, pjesë e të cilit është edhe KultPlus, vazhdoi me aktivitete tjera në Vlorë, ku vizitoi Muzeun Etnografik të Vlorës si dhe Zonën Historik të saj. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme