Ngadalësohet përkohësisht shkrirja e akullit në Arktik

24 Gusht, 2025 - 10:55 pm

Shkrirja e akullit në Arktik është ngadalësuar ndjeshëm gjatë 20 viteve të fundit, raportojnë shkencëtarët, pa pasur një rënie statistikisht të rëndësishme të shtrirjes së tij që nga viti 2005, sipas “The Independent”.

”Ky zbulim është befasues”, thonë ata, ”duke qenë se emetimet e karbonit nga djegia e karburanteve fosile kanë vazhduar të rriten dhe të bllokojnë gjithnjë e më shumë nxehtësi gjatë kësaj kohe”.

Ata mendojnë se ndryshimet natyrore në rrymat oqeanike, të cilat kufizojnë shkrirjen e akullit, kanë balancuar rritjen e vazhdueshme të temperaturave globale.

Megjithatë, kjo është vetëm një shtyrje e përkohshme, dhe shkrirja ka shumë gjasa të rifillojë me një ritëm rreth dyfish më të shpejtë brenda 5-10 vitet e ardhshme.

Këto gjetje nuk do të thonë se akulli i Arktikut po rikuperohet.

Sipërfaqja e akullit në shtator – kur arrin minimumin vjetor – është përgjysmuar që nga viti 1979, kur nisën matjet satelitore.

Kriza klimatike mbetet “pa asnjë dyshim reale”, theksuan shkencëtarët, dhe nevoja për veprime urgjente për të shmangur pasojat më të rënda nuk ka ndryshuar.

Variacioni natyror që ka shkaktuar këtë ngadalësim lidhet ndoshta me luhatjet shumë-dekadëshe të rrymave në Oqeanin Atlantik dhe Paqësor, të cilat ndikojnë në sasinë e ujit të ngrohtë që hyn në Arktik.

Megjithatë, Arktiku pritet që gjatë këtij shekulli të përballet me periudha pa akull, duke dëmtuar njerëzit dhe jetën e egër në rajon dhe duke përshpejtuar ngrohjen globale, pasi oqeani i errët thith më shumë nxehtësi.

“Është befasuese, kur sot diskutohet nëse ngrohja globale po përshpejtohet, që ne po flasim për një ngadalësim. Lajmi i mirë është se 10-15 vite më parë, kur humbja e akullit po përshpejtohej, disa flisnin për një Arktik pa akull para vitit 2020. Por tani variabiliteti natyror ka kaluar në fazën e balancimit të humbjes së akullit. Kjo na ka dhënë pak më shumë kohë, por është një shtyrje e përkohshme – kur të mbarojë, lajmet nuk do të jenë të mira”, tha Mark England nga Universiteti i Exeter, i cili udhëhoqi studimin.

Studimi, i botuar në revistën “Geophysical Research Letters”, përdori dy grupe të dhënash për nivelet e akullit detar në Arktik nga viti 1979 deri më sot.

Shkencëtarët analizuan sipërfaqen e akullit për çdo muaj të vitit dhe ngadalësimi u pa në të gjitha rastet./KultPlus.com

Të ngjajshme