Nike dhuron 30,000 palë këpucë për punëtorët shëndetësorë në ShBA

5 Maj, 2020 - 11:30 am

Prodhuesi i njohur i veshmbathjeve sportive, Nike, do t’i dhurojë 30,000 palë këpucë për punëtorët shëndetësorë që ndodhen në vijën e frontit gjatë luftës kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Këpucët janë të dizajnuara enkas për këta punëtorë.

Këpucët e llojit “Air Zoom Pulse”, të hedhura në treg fillimisht në nëntor të vitit të kaluar, janë modeli i parë që është dizajnuar për punëtorët shëndetësor, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.

Dizajnerët e kompanisë shkuan në një spital të fëmijëve në Oregon për ta studiuar punën e mjekëve dhe infermierëve. Ata i morën parasysh sfidat në punë, përfshirë orarin e gjatë dhe nevojën për rehati të këmbëve gjatë ndërrimeve të gjata, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Kompania “Nike” bashkëpunoi me organizatën jofitimprurëse “Good360”, e cila merret me shpërndarje efikase të donacioneve, për t’i shpërndarë më lehtë këpucët për punëtorët shëndetësorë në Chicago, Los Angeles, Memphis dhe New York.

U njoftua se punëtorët shëndetësorë në New York dhe në Los Angeles do të pajisen gjithashtu edhe me 95,000 palë çorapë futbolli, të cilat ofrojnë ngjeshje të butë të këmbëve./ KultPlus.com

Të ngjajshme