Nis festivali i komedisë ‘KoKo Fest 2025’ në Korçë

1 Shtator, 2025 - 8:20 pm

Në Korçë ka nisur edicioni i 12-të i Festivalit Mbarëkombëtar “KoKo Fest”, i cili për shtatë netë me radhë do të sjellë në skenë shfaqje të zhanrit të komedisë.

“KoKo Fest” u çel mbrëmjen e së dielës në teatrin “Andon Zako Çajupi” me komedinë britanike “Një martesë, një divorc dhe një funeral”, me regji të Rovena Lules dhe aktoret Zamira Kita, Olta Daku, Egla Ceno dhe Paola Kodra.

Edicioni i 12-të i festivalit sjell një program të larmishëm me 7 shfaqje, ku marrin pjesë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Italia.

Në skenë do të ngjiten Teatri “Skampa” i Elbasanit, “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Barleta nga Italia, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, si dhe Teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni.

Festivali do të zgjasë deri më 6 shtator, ndërsa një juri prestigjioze do të vlerësojë interpretimet më të mira./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme