12 Gusht, 2025 - 8:23 pm
Të hënën më 18 gusht 2025, në ora 11:00, do të bëhet hapja solemne e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, edicioni i 43-të, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë. Punimet e këtij seminari do të zhvillohen në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, nga 18 deri më 29 gusht.
Ky event tradicional mbledh studiues dhe ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora albanologjike në mbarë botën, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre më të fundit shkencore në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Në fokus të këtij viti do të jenë temat:
Zhvillimet aktuale të leksikut të gjuhës shqipe,
Përdorimi i shqipes në rrjetet sociale,
Postmodernizmi në letërsinë shqipe.
Programi i seminarit përfshin edhe kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele, ligjërata dhe referime të shumta shkencore. Përveç punimeve akademike, organizatorët kanë planifikuar edhe një program kulturor që do t’i njohë pjesëmarrësit me traditat dhe bukuritë e Kosovës.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe që nga ajo kohë ka zhvilluar 42 sesione, duke qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të albanologjisë në rajon./KultPlus.com